Sport

Nderimi për Sefedin Brahon, FSHF vendos për 1 minutë heshtje në ndeshjet e sotme

Sot u nda nga jeta legjenda e futbollit shqiptar, Sefedin Braho. Federata Shqiptare e Futbollit ka ngushëlluar familjen për këtë humbje të rëndë.

Për të nderuar ish-futbollisti, FSHF ka bërë me dije se sot do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar të kategorisë “Abissnet Superiore”, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë.

Ish-futbollisti i shquar i kombëtares tonë dhe Luftëtarit të Gjirokastrës, Sefedin Braho, spikati falë talentit të tij, duke qenë një prej lojtarëve më të shquar të futbollit shqiptar në vitet 70-80. Ai njihej me nofkën “shigjeta”, për shkak të shpejtësisë, elegancës dhe triblimit të tij. Në kampionatin shqiptar ka luajtur për Partizanin dhe Luftëtarin, ndërsa me Kombëtaren kuqezi ka zhvilluar 9 ndeshje, duke realizuar edhe një gol.

Sefedin Braho është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 71 vjeçare.  Ish-sulmuesi i Kombëtares u nda nga jeta pas disa komplikacioneve shëndetësore të shfaqura në ditët e fundit.