Persona të famshëm, përfshirë liderin e grupit muzikor Rolling Stones, Mick Jagger, shprehën zemërimin në lidhje me ankorimin e anijeve turistike në lagunën e Venecias, në një letër të hapur për qeverinë. Në dokument shkruhej se:
Ndaloni trafikun e anijeve të mëdha në lagunë.
Artistë të njohur, nga Jagger te regjisori gjerman Wim Wenders dhe aktorja skoceze Tilda Swinton, u ankuan për “mungesën absolute të respektit ndaj një prej vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë botërore” dhe bënë thirrje për një ligj për të mbrojtur identitetin kulturor të Venecias.
Turistët kanë filluar të kthehen në qytet që kur Italia lehtësoi kufizimet e udhëtimit të koronavirusit në mes të majit. Por banorët dhe ata me lidhje të ngushta me qytetin nuk dëshirojnë që ai të kthehet në gjendjen e tij para-pandemike kur u mbingarkua nga udhëtarët dhe anijet gjigante të lundrimit që bënë ‘kërdinë’ në lagunën e brishtë.
Letra, e propozuar nga fondacioni bamirës “Trashëgimia Veneciane”, e nënshkruar nga 21 personalitete të profilit nga bota e artit dhe kulturës i është dërguar presidentit italian, Sergio Mattarella, kryeministrit, Mario Draghi, si dhe udhëheqësve rajonalë dhe lokalë, duke bërë thirrje për veprim urgjent.
Ndërkaq, Toto Bergamo Rossi, presidenti i Fondacionit të Trashëgimisë Veneciane tha se:
Ky nuk është një koleksion i nënshkrimeve thjesht për të përmendur emrat, është një koleksion i nënshkrimeve të njerëzve që vijnë shpesh në Venecia dhe që ne i njohim drejtpërdrejt.
Në letër specifikohet gjithashtu pabarazia midis banorëve dhe turistëve në qytet dhe bëhet thirrje për rregulla më të rrepta për dhënien me qira të apartamenteve turistëve. Anijet turistike në Venecia kanë qenë një burim polemikash për vite me rradhë.
Rikujtojmë, se në muajin mars, qeveria u dha dritën jeshile planeve për të ndaluar anijet nga zona përreth qendrës së qytetit të Venecias, për t’u vendosur në një port jashtë lagunës veneciane.