Apple ka njoftuar se do të largojë një veçori nga dy prej modeleve të Apple Watch në SHBA, ndërsa po përballet me një betejë ligjore mbi një mosmarrëveshje për leje mbi teknologjinë pas saj. Prodhuesi i iPhone, do të nxjerrë në treg modelet Apple Watch Series 9 dhe Ultra 2 pa funksionin e gjurmimit të oksigjenit në gjak. Kjo për faktin se, kompania e teknologjisë së monitorimit mjekësor, Masimo, e akuzoi gjigantin teknologjik për vjedhjen e oksimetrisë së pulsit.
Së fundmi, Gjykata e Apelit në SHBA, ka vendosur që të ndalojë shitjen e dy modeleve që përmbajnë këtë veçori. Në një deklaratë, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Masimo, Joe Kiani, tha se ky vendim i gjykatës pohon se edhe kompanitë më të mëdha duhet të respektojnë të drejtat e shpikësve amerikan dhe të merren me pasojat kur kapen duke shkelur ato të drejta.
Pas vendimit të gjykatës, Apple tha se “nuk pajtohej plotësisht”, megjithatë do të fillojë çaktivizimin e funksionit të oksigjenit të gjakut. Kjo luftë ligjore nga e cila nuk ndikohen pajisjet e shitura jashtë SHBA-së, pritet të zgjasë rreth një vit. Rikujtojmë, se së fundmi Apple ndaloi shitjen e dy orave inteligjente pasi u zbulua se kishte shkelur patentat e një konkurrenti. Këto janë Apple Watch Seria 9 dhe Apple Watch Ultra 2 që u prezantuan shtatorin e kaluar së bashku me serinë iPhone 15.
Apple është deri tani shitësi më i madh i orëve inteligjente, duke zënë 30% të të gjitha dërgesave në 2022 dhe pothuajse 60% të shitjeve globale. Megjithatë, orët e kompanisë përbëjnë vetëm 4.7% të shitjeve totale të produkteve të Apple prej rreth 383 miliardë dollarësh në vitin fiskal 2023. Të njëjtët analistë besojnë se është pothuajse e pamundur që Apple të lejojë që ky ndalim të zgjasë gjatë.