Aktualitet

Ndalimi i Ballist Morinës, i cili ngriti dronin në Beograd reagon policia/Berisha kërkon lirimin e tij!

Drejtoria e Policisë së Kukësit reagoi sot lidhur me ndalimin në kufi të Ismail Morinës, i njohur edhe si “Ballist Morina”. Në njoftimin zyrtar, uniformat blu sqarojnë rrethanat e ndalimit të 40-vjeçarit.

Efektivët e Komisariatit të Policisë Kukës ndaluan shtetasin I. M.,  40 vjeç, banues në fshatin Shikaj, Kukës, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Durrës. Ky shtetas u ndalua pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur revokimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lirimin e tij me kusht dhe ka caktuar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, 5 muaj e 12 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Procedurat e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Durrës.

Për këtë ngjarje sot reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke kërkuar menjëherë lirimin e tij ndërsa akuzon kryeministrin Rama. Në një postim në Facebook shkruan:

Të dashur miq, me urdhër të Edi Ramës, arrestohet sapo vuri këmbën në dheun e tij, Ismail Morina, si hakmarrje për dronin që lëshoi në stadiumin e Beogradit me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit e që harboi fare ultranacionalistët serbë, me në krye serbomadhin Vuçiç.

Që nga ajo kohë, Ismail Morina është shndërruar në njeriun më të persekutuar në Ballkan. Rama dhe Vuçiç, përkatësisht shërbimet e tyre sekrete kanë montuar kundër Ballistit, kurthe të ulëta e sajuar akuza, pa asnjë baze.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe arrestimin e Morinës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij. I bëj thirrje të gjitha organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që të ndërhyjnë për lirimin e tij të menjëhershëm dhe të dënojnë persekutimin politik të Morinës nga binomi famëkeq Rama-Vuçiç. sb