Aktualitet

Ndahet nga jeta anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina!

Pas një sëmundjeje të rëndë e të pashërueshme, u nda nga jeta në moshën 45 vjeçare Darjel Sina, anëtar i Gjykatës së Lartë prej mbi dy vitesh. Këtë detyrë e mbante pas një eksperience të gjatë e kontributi të rëndësishëm në fushën e së drejtës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjykata e Lartë shprehu ngushëllime duke theksuar se me ndarjen e tij nga jeta, krijohet një boshllëk i madh për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Me trishtim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të anëtarit të Gjykatës së Lartë, z.Darjel Sina.

Z.Sina iu bashkua trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në prill të vitit 2022 dhe vinte në këtë detyrë pas një eksperience të gjatë dhe kontributi të rëndësishëm në fushën e së drejtës.

Ndarja e tij nga jeta krijon një boshllëk të madh për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të dashurit e tij. Jemi pranë jush me zemër dhe mendje.

U prehtë në paqe!

Me respekt,

Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë.

Darjel Sina kishte përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Zyrihut në Zvicër, me bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Studimet në doktoraturë, master i arteve dhe bachelor, i përfundoi në Universitetin Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik e mbante titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014.

Ndërkaq ka qenë Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik dhe më përpara, Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.

Në nëntor 2021 u përzgjodh nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar në programin International Visitor Leadership Program me tematikë Rule of Law and the U.S. Judicial System, organizuar nga Graduate School USA.

Pas diplomimit ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi. Me dekretin Nr. 13573 të Presidentit të Republikës, datë 16 prill 2022 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.