Bota

NATO: Rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit ‘e pakthyeshme’!

Rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është “e pakthyeshme”, sipas një burimi.

Vendimi synon të sigurojë Ukrainën se “e ardhmja e saj është në NATO”. Udhëheqësit e NATO-s pritet të miratojnë zyrtarisht dokumentin në një deklaratë gjatë një samiti të aleancës në Uashington që nisi dje dhe vazhdon deri të enjten.

“Dokumenti nënvizon se Ukraina mund të bashkohet vetëm kur të gjithë anëtarët aktualë bien dakord. SHBA-ja dhe Gjermania në veçanti janë kundër përshpejtimit të procesit”, thanë burime diplomatike brenda aleancës.

Por, vendet e tjera anëtare të NATO-s duan të demonstrojnë se Rusia nuk mund të frenojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO duke bërë luftë kundër vendit.

Dokumenti mirëpret progresin konkret të Ukrainës në reformat e kërkuara demokratike, ekonomike dhe të sigurisë, që nga samiti i fundit i NATO-s në kryeqytetin lituanez, Vilnius një vit më parë.

NATO e ka pranuar në parim idenë e anëtarësimit të Ukrainës që nga viti 2008, ndërsa Ukraina i ka paraqitur ambiciet e anëtarësimit në NATO të përfshira në kushtetutën e saj kombëtare që nga viti 2019.