Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, sot merr drejtimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Tashmë, Rutte ka detyrën që të mbajë bashkë aleancën ndërsa lufta në Ukrainë është në një moment kritik, si dhe po afrohen zgjedhjet e rëndësishme presidenciale amerikane.
Në ceremoninë në selinë e NATO-s në Bruksel, Rutte do të marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm e që deri më tani është mbajtur nga Jens Stoltenberg. Në krye të aleancës, norvegjezi ka qëndruar gjatë një dekade me turbulenca e që kulmoi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rutte të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje, si dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të angazhuara në sigurinë europiane.
Ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë e mbështetjes në të ardhmen të SHBA-ve për NATO-n e Kievin, pasi Donald Trump, skeptik i NATO-s është në garë të ngushtë zgjedhore me rivalen demokratem zv.presidenten amerikane, Kamala Harris.
Më 26 qershor, aleatët emëruan kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s dhe hapi ishte thjesht një formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi tërheqjen nga gara. Iohannis kishte dështuar të siguronte mbështetje.
Stoltenberg tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Rutten një lider të “fuqishëm transatlantik”.
E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme!
Po ashtu, Rutte njihet për lidhjet me Kosovën ndër vite ndërsa vizitën më të fundit atje e zhvilloi korrikun e vitit të kaluar. Kjo në kohën kur tensionet me Serbinë, vendi i kishte në kulm për shkak se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.
Holanda e tij ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes së saj, në vitin 2008. Në atë kohë, kryeministër ishte Jan Peter Balkenende. Rutte e mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë, në tetor të 2010-ës.