Bota

NATO konfirmon praninë e trupave koreano-veriore në Rusi!

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake i konfirmoi njoftimet se trupa të Koresë së Veriut janë në Kursk të Rusisë, një rajon që gjendet në kufi me Ukrainën. Duke folur sot në Bruksel, Rutte komentoi duke e konsideruar këtë hap si “përshkallëzim të madh” në luftën e Rusisë në Ukrainë. Sipas tij, ky veprim sinjalizon “dëshpërimin” e presidentit rus, Vladimir Putin, pas humbjes së më shumë se 600 mijë ushtarëve në luftë.

Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë euro-atlantike e atë të Indo-Paqësorit.

Rutte i bëri këto deklarata pasi më herët zhvilloi një takim të nivelit të lartë me një delegacion të Koresë së Jugut, i përbërë nga zyrtarë të lartë të Inteligjencës, si dhe diplomatë të 32 vendeve anëtare të NATO-s. Më tej theksoi se NATO është “duke u konsultuar në mënyrë aktive brenda Aleancës, me Ukrainën, si dhe me partnerët e saj në Indo-Paqësor”, lidhur me këto zhvillime. Rutte paralajmëroi edhe se do të diskutojë mbi këtë temë me presidentin e Koresë së Jugut dhe me ministrin ukrainas të Mbrojtjes.

Ne vazhdojmë që të monitorojmë situatën nga afër, vuri në dukje shefi i NATO-s.

Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore do të rrisë edhe më shumë presionin në ushtrinë e Ukrainës, si dhe rrezikon thellimin e tensioneve gjeopolitike në Gadishullin Korean, vlerësojnë zyrtarë perëndimorë.

Presidenti rus, Vladimir Putin synon vazhdimisht të riformësojë rendin global. Ai ka bërë përpjekje që të ndërtojë një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit javën e kaluar, përmes organizimit të samitit BRICS, në të cilin kanë marrë pjesë liderë të Kinës e Indisë.

Javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka informacione që trupat ushtarake të Koresë së Veriut do të jenë në fushëbetejë brenda ditësh. Paraprakisht, shprehej se qeveria e tij ka siguruar informacion se 10 mijë ushtarë të Koresë e Veriut janë gati për t’iu bashkuar forcave ushtarake ruse në luftën kundër Ukrainës.

Disa ditë para deklaratës së Zelensky-t, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, patën theksuar se kanë të dhëna që ushtarë të Koresë së Veriut janë në Rusi. Amerika ka thënë se rreth 3.000 ushtarë koreano-veriorë janë në Rusi për trajnime. Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit 2022. Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.