Rajoni

NATO dislokon trupa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut!

Pothuajse 200 trupa nga Forcat e reja Aleate të Reagimit (ARF) do të dislokohen në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga dita e sotme e deri më 16 tetor, për stërvitje që synojnë “gatishmërinë e tyre dhe mbështetje për KFOR-in”. Kjo u njoftua sot nga NATO, teksa theksoi se “është hera e parë që trupa të ARF-së do të dislokohen, që kur kjo forcë u krijua në korrik të këtij viti”.

Në Kosovë do të dislokohen 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit (OLRT) të ARF-së, ndërsa 150 të tjera në Maqedoninë e Veriut.

Personeli i dislokuar do të performojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë e për të testuar aftësitë e tyre, si dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it e do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore, si dhe operacione për KFOR-in në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it, u tha në njoftimin zyrtar.

Sipas NATO-s, ARF-ja është një forcë strategjike, e gatishmërisë së lartë me aftësi në shumë fusha. Kjo forcë mund të dislokohet shpejt e po ashtu mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme.

NATO tha se dislokimi i fundit, së bashku me dislokimet e bëra më herët gjatë këtij muaji në Kosovë të Forcave Strategjike Rezervë (SRF), dërgojnë “një mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen e stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur”.

Kohët e fundit, në Kosovë janë dislokuar trupa të Britanisë së Madhe për të marrë pjesë në stërvitje me trupat e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR. Siç dihet, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Po ashtu, misioni i NATO-s në Kosovë është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.