Bota

NATO, bashkë kundër Rusisë e pro Ukrainës/”Shuplakë” edhe Kinës!

Anëtarët e NATO-s bashkohen kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara do të nisin dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në Gjermani më 2026-ën. Ky konsiderohet hap i madh që synon të luftojë atë që aleatët e cilësojnë “kërcënimin në rritje që Rusia paraqet për Europën”.

Sipas vendimit, Uashingtoni pritet të dërgojë në Gjermani armët më të fuqishme amerikane që do të vendosen në kontinentin europian që nga Lufta e Ftohtë dhe ky vendim po shihet si paralajmërim i qartë për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga SHBA-të e Gjermania u tha se “dislokimet episodike” ishin përgatitje për stacionim afatgjatë në Europë të aftësive ushtarake që përfshijnë raketat SM+6, Tomahawk dhe dislokimin e armëve hipersonike me rreze të gjatë veprimi.

Një dislokim i armëve të tilla do të ishte i ndalueshëm nga Traktati për forcat bërthamore me rreze të mesme veprimi që Amerika dhe Bashkimi Sovjetik kishin nënshkruar në vitin 1987. Por, ky traktat u zhbë më 2019-ën.

Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve, thanë aleatët e NATO-s përmes një deklarate.

Po ashtu, NATO paralajmëroi se më shumë ndihmë do t’i dërgohet Ukrainës, që përballet me pushtimin rus që nga shkurti 2022. Në deklaratën e Aleancës në Uashington u theksua se vendet anëtare synojnë t’i ofrojnë Ukrainës të paktën 40 miliardë euro ndihmë ushtarake më 2025-ën. Në të njëjtin dokument u përdor gjuhë më e ashpër ndaj Kinës, duke e akuzuar Pekinin se “mundëson” përpjekjet e luftës ruse.

Kina vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euroatlantike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u tha gazetarëve se për herë të parë, 32 aleatët bashkarisht e kanë cilësuar Kinën si shtet vendimtar në mundësimin e luftës së Rusisë. Ai theksoi se ky është një mesazh i rëndësishëm.

Stoltenberg shtoi se Aleanca nuk është një organizatë që vendos sanksione, por “në fund të fundit, ky do të jetë një vendim për secilin aleat”.

Por, mendoj se mesazhi që ne dërguam nga ky samit i NATO-s është shumë i qartë.

NATO i bëri thirrje Kinës të mos i dërgojë materiale dhe të mos i ofrojë mbështetje politike luftës së Rusisë. Presidenti amerikan, Joe Biden priti partnerët dhe aleatët e NATO-s në një darkë në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar “aleancën më të madhe që ka pasur ndonjëherë bota”.

Biden u shpreh i kënaqur që të gjithë anëtarët e NATO-s po zotohen që të zgjerojnë bazat e tyre industriale për të zhvilluar plane për prodhimin e armëve brenda shteteve respektive.

Nuk mund të lejojmë që aleanca të mbetet prapa. Ne mund dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe këtë do ta bëjmë së bashku!