Bota Health & Beauty

Natë e qetë në spital për Papa Françeskun, i prekur nga një infeksion i frymëmarrjes!

Papa Françesku kaloi një natë të qetë pasi dje u shtrua në Poliklinikën Universitare Gemelli të Romës, për një infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. Burime spitalore treguan:

Ekipi mjekësor është optimist dhe beson se do të ketë festime për të dielën e Pashkës së ardhshme. Sigurisht që përjashtohet çdo e papritur. Nata kaloi e qetë si vaji.

Pranë Atit të Shenjtë qëndron Massimiliano Strappetti, infermieri i besuar i Papës, personi që e bindi atë t’i nënshtrohej një operacioni në zorrën e trashë, tre vjet më parë.

Gjendja shëndetësore e kreut të Kishës Katolike

Një ditë më parë, Papa Françesku u shtrua në spital për shkak se pati disa vështirësi në frymëmarrje, si pasojë e një sëmundjeje e përshkruar si “e lehtë”. Po ashtu raportohet se iu nënshtrua analizave mjekësore që  përjashtuan problemet e zemrës. Por, u evidentua një infeksion i rrugëve të frymëmarrjes, siç raportohet nga Selia e Shenjtë.

Gjendja shendetësore e Papës nuk përbën shkak për shqetësim, edhe nëse ai do të qëndrojë i shtruar në repart, në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli, që për disa ditë të mbahet nën vëzhgim. Po ashtu, u përjashtua infektimi nga COVID-i, ndërsa edhe skaneri dha një rezultat negativ.

Për momentin, Papa Françesku është mirë, sipas të dhënave nga personeli shëndetësor, pavarësisht një tabloje klinike jo optimale dhe kjo kryesisht për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me moshën e thyer.

Nëse vazhdon të jetë mirë dhe të gjitha analizat e lejojnë, Ati i Shenjtë mund të kthehet në Casa Santa Marta që në fillim të kësaj fundjave, pra ditën e nesërme. Pjesëmarrja e Papa Françeskut në festimet e Pashkëve të Shenjta, për momentin nuk është përjashtuar, por as konfirmuar nga Vatikani.