“South Outdoor Festival” ishte më i zjarrtë se kurrë natën e tretë, të dielën e 1 majit. Atmosfera festive e dy ditëve të mëparshme nuk mungoi dhe madje u shtua, teksa numri i njerëzve dukshëm ishte rritur në Borsh. Artistët më të mirë shqiptarë dhe të huaj ishin të pranishëm, teksa as moti nuk i ndali festimet. DJ Mickey, i cili kujtojmë se një natë më parë e mbylli mbrëmjen muzikore, e nisi këtë të dielë me muzikën e tij të pakrahasueshme. Audienca nisi të rritej, dhe dukej se askush nuk ndalej së kërcyeri.
Stafetën ia pasoi “Gipsy Groove”, grupit të veçantë të ardhur nga Kosova posaçërisht për festivalin, që sollën një tjetër rrymë me muzikën e tyre shumë ndryshe. Atmosfera në këto çaste ishte thjesht e pakrahasueshme.
Më tej u ngjit në skenë Eugent Bushpepa që duhet ta pranojmë se ‘i vuri zjarrin’ skenës. Dukshëm ky ishte momenti kur audienca ishte e tejmbushur dhe të gjithë fansat këndonin njëzëri këngët e artistit. Turma shihej duke kërcyer në atmosferën magjike, edhe pse kushtet atmosferike duket se nuk ishin të përsosura.
Laidback Luke, ishte DJ që ‘ngriti temperaturat’ teksa pikërisht në ato çaste nisi shiu. Dukshëm nga pamjet e marra nga TAR, shiu nuk e ndali publikun e mrekullueshëm të SOF të kërcente nën ritmin e muzikës së Laidback Luke.
Boocky DJ ishte i radhës, dhe iu caktua mbyllja e kësaj nate magjike me muzikën më të mirë. Padiskutim ai e ruajti energjinë pozitive dhe nata e tretë e “South Outdoor Festival” u mbyll me atmosferën më të mirë dhe dëshirën për edhe një tjetër natë. Vlen për t’u theksuar se TAR ka menduar edhe për ata që nuk janë të pranishëm në SOF, dhe i dërguari Adi Pojana sjell atmosferën magjike të festivalit përmes lidhjeve direkte me studion e Top Albania Radio. Ndërkohë edhe në rrjetet sociale të Top Albania Radio, nuk mungojnë imazhet dhe përshkrimet e gjithçkaje që ndodh live në Borsh!