Bota

Nata e gjatë e Amerikës, nesër zgjedhjet për Kongresin/Kur priten rezultatet?

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nesër votohet për të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 të Senatit, si dhe për 36 poste guvernatorësh e të tjera. Analistët mendojnë se nata e 8 nëntorit do të jetë e gjatë, ndërsa pritet të mësohet nëse republikanët apo demokratët do të marrin kontrollin e Kongresit. Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët duhet të fitojnë pesë vende më shumë nga sa kanë aktualisht dhe një më tepër në Senat, për të marrë kontrollin e Kongresit.

Ekspertë të pavarur të çështjeve zgjedhore, si dhe anketat e opinionit publik sugjerojnë se republikanët kanë një mundësi mjaft të mirë për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa gara për Senat parashikohet e ngushtë. Një valë masive e mbështetjes republikane mund të çojë në shpalljen e fitores disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Ndërsa dhjetëra gara pritet të jenë me rezultate të ngushta, shtete kryesore si Pensilvania, që tani po paralajmërojnë se mund të duhen ditë për të numëruar çdo votë. Ekspertët thonë se ka gjasa që nata e 8 nëntorit të mbyllet pa e mësuar se kush fitoi. Nathan Gonzales, i cili boton buletinin jopartiak Inside Elections, u shpreh:

Kur bëhet fjalë për daljen e rezultateve, ne duhet të largohemi nga të folurit për ditën e zgjedhjeve dhe në vend të kësaj të mendojmë për javën e zgjedhjeve.

Rezultatet paraprake do të dalin bazuar në shpejtësinë e numërimit nga shtetet të votave me postë. Meqenëse demokratët votojnë më shpesh se republikanët me postë, shtetet që lejojnë zyrtarët të numërojnë më herët votat me postë, mund të njoftojnë për epërsi të madhe të demokratëve që fillon e zbehet ndërsa numërohen votat e shumta republikane të hedhura ditën e zgjedhjeve.

Në shtete si Florida e Karolina e Veriut, zyrtarët zgjedhorë lejohen të numërojnë votat me postë para ditës së zgjedhjeve, çka mundëson daljen e shpejtë të rezultatit. Disa shtete, si Pensilvania dhe Uiskonsin, ndalojnë hapjen e zarfeve me fletët e votimit deri në ditën e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se votat e hedhura atë ditë, përkohësisht mund të nxjerrin në avantazh republikanët, deri në numërimin më pas të votave me postë që zakonisht favorizojnë demokratët.