NASA të martën, më 12 korrik, publikoi edhe disa fotografi të reja të bëra nga teleskopi James Webb, që ndër të tjera shfaqin një yll duke vdekur.
Imazhi i parë i teleskopit James Webb Space Telescope u publikua të hënën në Shtëpinë e Bardhë, ku u shfaqën një grumbull galaktikash të largëta, apo pamjen më të vjetër dhe më të hollësishme që njerëzimi ka parë.
Katër fotografitë e reja shfaqin bukuri të tjera kozmike.
“Çdo imazh është një zbulim i ri dhe çdo imazh do t’i japë njerëzimit një pamje që nuk e kemi parë më parë”, tha administratori i NASA-s, Bill Nelson, teksa tregoi se imazhet e reja tregojnë për “krijimin e yjeve dhe vrimat gllabëruese të zeza”.
Përdorimi i spektrit të dritës infra të kuqe nga teleskopi, bën të mundur që të shihet përmes pluhurit kozmik dhe “të shihet drita e largët në skajet e universit”, tha ai.
“Ne vërtetë kemi ndryshuar kuptimin e universit tonë”, tha drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher.
Agjencitë e hapësirës së Evropës dhe Kanadasë iu bashkuan NASA-s për të krijuar këtë teleskop të fuqishëm.
Çfarë shfaqin imazhet e reja të NASA-s?
– Nebuloza e Unazës Jugore, që shpesh quhet “shpërthimi i tetë”. Kjo nebulozë planetare gjendet rreth 2,500 vjet dritë larg dhe tregon një re gazi duke u zgjeruar dhe duke e rrethuar një yll që është duke vdekur. Një vit drite është 9.4 trilionë kilometra.
– Nebuloza Carina, që është një prej mjegullnajave më të ndritura planetare në qiell dhe gjendet afër 7,600 vjet drite larg.
– Pesë galaktika gjatë një vallëzimi kozmik, 290 milionë vjet dritë larg. Këto pesë galaktika, që njihen si Kuintet e Stefanit, për herë të parë janë parë 255 vjet më parë në yjësinë Pegasus.
– Një planet gjigant me ngjyrë të kaltër i quajtur WASP-96b. Ky planet është sa madhësia e Saturnit dhe gjendet 1,150 vjet dritë larg.
Imazhet u shfaqën një nga një gjatë një ngjarjeje të organizuar në Qendrën Goddard të NASA-s.
Teleskopi James Webb Space Telescope u lëshua në hapësirë në dhjetorin e kaluar. Në janar, ai arriti distancën prej 1.6 milion kilometrash nga Toka.