Siçilia ishte mjedisi i përsosur për sezonin e dytë të komedisë së HBO, “The White Lotus”. Seriali i vlerësuar me çmime ndjek aventurat e ngatërruara, dashurore dhe ndonjëherë të rrezikshme të pushuesve të pasur që qëndrojnë në Pallatin e bukur të San Domenico, një vendpushim me pesë yje i operuar nga Four Seasons në Taormina.
Të ftuarit në hotelin imagjinar ‘The White Lotus’, hoteli me të njëjtin emër të serialit, rrinë në ballkone me pamje nga deti ndërsa shijojnë kapuçino dhe briosh të ngrohtë. Xhirimet në hotel kanë zgjatur dy muaj. Dhoma më e lirë kushton 1400 dollarë nata. Për të portretizuar këtë përvojë luksoze, HBO “bleu” San Domenico për dy muaj. Në këtë hotel ka edhe shumë më të shtrenjta, si suita “Princess Cecilie”, e cila ka një holl dhe sallon të veçantë dhe kushton më shumë se 6200 dollarë nata.
Rezervimet u rritën në stratosferë pas transmetimit të serialit. Resorti ka ngjallur interesin e shikuesve që kur sezoni 2 i “The White Lotus” u shfaq premierë më 30 tetor. Lorenzo Maraviglia, menaxheri i përgjithshëm i San Domenico, tha për ‘Daily Beast’ se ndikimi i serialit në prenotime ishte i dukshëm.
Ne e prisnim këtë deri diku, megjithëse nuk ishte shqetësimi ynë kryesor kur vendosëm të punonim me HBO. Interesi vjen kryesisht nga tregu amerikan dhe megjithëse SHBA ka qenë gjithmonë një kartë e fortë për ne, do të thosha se seriali i ka bërë ata një lojtar edhe më të fortë.