“South Outdoor Festival” nisi mbarë padiskutim dhe muzika e mirë nuk mungoi natën e parë të festivalit në jugun e mrekullueshëm. Ky event 4-ditor kishte premtuar argëtim pafund dhe eksperienca unike të papërsëritshme, dhe duket se e mbajti fjalën. Muzika e mirë nuk mungoi dhe tre grupe të mrekullueshme u ngjitën në skenën e “South Outdoor Festival”. Të parët ishin “Mixed Up Everything” grupi i jashtëzakonshëm i cili shkëlqeu dhe argëtoi pafund fansat.
“Madman’s Choice” ishte grupi i dytë muzikor që argëtoi audiencën e festivalit, teksa grupi suedez emocionoi gjatë këndimit të këngës shqip “Xhamadani Vija-Vija”.
Të tretët që u ngjitën në skenë ishin “Elita 5” dhe nuk mund ta mohojmë se ‘iu vu flaka’ skenës. Grupi legjendar këndoi të gjitha hitet e tij ndër vite nga “Al Kapone” deri te “Nuk Jam Diktator”. Një moment rrënqethës ishte teksa “Elita 5” këndoi “Himnin e Flamurit” bashkë me audiencën.
Ndërkohë, nëse mendoni se nata e parë përfundoi me kaq, gaboheni. Pasi grupet e artistëve u ngjitën në skenë, muzika e mirë vazhdoi përmes disa pre DJ më të mirë. Kujtojmë, se Top Albania Radio ka menduar edhe për ata që nuk mund të jenë të pranishëm në festival dhe ju sjell gjithë atmosferën e mrekullueshme drejtpërdrejt nga Borshi. Adi Pojana i dërguari i TAR sjell jo vetëm atmosferën magjike të festivalit, por edhe intervistat ekskluzive të artistëve. Mos harroni të na ndiqni në Top Albania Radio nga ora 20:30-00:00 për më shumë energji pozitive, muzikë të mirë dhe intervista speciale!