Sot i ftuar në Top Albania Radio ka qenë artisti i njohur, Dren Abazi. Një emër mjaft i dashur i muzikës së mirë shqiptare. Ai tregoi më shumë detaje në lidhje me koncertin e tij që do të realizojë në qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm kaq.
12 vite nga “Ti dhe unë”, gjithmonë prezenca e tij jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por kudo që ka shqiptarë dhe e duan muzikën e tij është shumë aktive. Dren Abazi nuk është shkëputur asnjë moment nga muzika, por çfarë e ka mbajtur kaq afër me njerëzit?
Kjo besoj që është diçka reciproke, sidoqoftë nuk besoj që ka një formulë të saktë të asaj se çfarë duhet të bësh në veçanti për të qenë konsistent në muzikë dhe në skenën tonë, në tregun që e kemi. Besoj që është proces i një pune të vazhdueshme dhe një pune që nuk ndalon. Unë gjithmonë them që kjo është një punë qe ne nuk e ndalojmë, humbasim gjithçka duke u nisur edhe nga fakti që është një dinamikë. Pauza është gjithmonë e lirë që ta bësh por është një rrezik permanent që njerëzit munden që të të harrojnë shumë shpejt në qoftë se ti nuk je aty, nëse nuk je i prekshëm për ata. Këtu luan një rol të madh edhe të qenurit aktiv në skenën e ‘live’-it sepse nëse ti je prezent në TV me videoklipe padyshim që kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e të gjithë këtij procesi. Por unë besoj të paktën tek unë sepse po flas për veten, një rol shumë të rëndësishëm në kohëzgjatjen time në skenë se jam bërë gati 15 vite, është që unë kam qenë aktiv në skenë me koncerte, kam qenë i pranishëm në eventet live, në koncertet që janë bërë në sheshe, në klube.
Një këngëtar i cili numëron edhe shumë klipe padyshim.
Shumë është relative sepse tani i kemi këto ‘hip-hop’ artistë që hallall ju qoftë sepse janë shumë punëtorë. Kjo varet nga këndvështrimi, puna e produktivitetit. Besoj që edhe kjo është një vijë e hollë që e ndan atë që ti mundësh të bëhesh i mërzitshëm dhe imponues edhe pjesa tjetër. Unë e mendoj, nuk domethënë që është mendim i drejtë por unë e kam parë gjithmonë të arsyeshme që ti nxjerr dy këngë në vit edhe mos të bëhem edhe shumë bajat.