Sport

Murinjo kërkon me ngulm “dështimin” Antoni tek Fenerbahçe

Antoni po shtyn për një largim në formë huazimi nga Mançester Junajtid, teksa përpiqet të ringjallë karrierën e tij. Sulmuesi brazilian ka kaluar një periudhë të vështirë në “Old Trafford” që kur u bashkua nga Ajaksi për një tarifë prej 86 milionë paundësh në vitin 2022.

24-vjeçari ka luajtur vetëm një minutë në Premier Ligë deri më tani këtë sezon dhe duket se nuk është në planet e Erik ten Hagut. Ai është përfolur për një largim gjatë gjithë verës, me disa klube që kanë shfaqur interes. Dhe sipas “The Sun”, Fenerbahçe, që menaxhohet nga ish-trajneri i “Djajve”, Zhoze Murinjo, është shfaqur si favorit për të siguruar shërbimet e lojtarit.

Sipas tyre, Antoni ka informuar Junajtidin se dëshiron të largohet, me klubin të gatshëm për të lehtësuar një marrëveshje huazimi. Gjithashtu, thuhet se ka interes për anësorin nga ish-klubi i tij, Ajaksi, së bashku me disa skuadra në Spanjë, Francë dhe Arabinë Saudite. Megjithatë, Fenerbahçe shihet si favorite duke qenë se merkatoja e tyre është e hapur deri këtë të premte.

Antoni, i cili është nën kontratë deri në vitin 2027 me Junajtid, ka një rrogë rreth 200,000 £ në javë në “Old Trafford” dhe me një pagë të tillë, që të ketë një transferim të përhershëm të tij, ai do të duhet të presë deri në verën e ardhshme.