I ftuar në “Live from Tirana” ishte piktori, kuratori dhe ideatori Heildon Hailiti për të folur rreth edicionit të tretë të festivalit të shumëpritur “Mural Fest Tirana”.
Kemi 14 mure. Artistët zakonisht vijnë dyshe, pra, një artist i përzgjedhur dhe një ndihmës ose artist tjetër që ata dëshironin të ftonin. Risia më e madhe e këtij edicioni është se 80% e artistëve janë vajza shumë të talentuara, si asnjë festival tjetër. Ato kanë hyrë shumë fuqishëm dhe me dinjitet. Për shembull, dy vajza nga Argjentina, shumë të talentuara, pikturuan një mur tek sheshi Willson, një mur i rëndësishëm sepse ka qenë në edicionin e parë të “Mural Fest”. Kam sjellë artiste shumë të spikatura, si Marta Lapena, një spanjolle tejet elegante. Ajo bëri diçka shumë interesante rreth inteligjencës artificiale dhe faktit që nuk mund të nuhasë, portretizohet në krijimtarinë e saj. Ka artistë që shprehin stilin e tyre unik, ose ata që sjellin një stil të fuqishëm ballkanik si polaku i famshëm Nespoon. Gjithashtu është dhe argjentinasi i famshëm Maximiliano Bagnasco, ai vetë që ka bërë portretin e Ismail Kadaresë. Ismail Kadare është një figurë e jashtëzakonshme, Shakespeare-i i Shqipërisë, na ka dhënë shumë famë botërore. Po ta shohësh pikturën, nuk ka një trajtë natyrale, artisti ka zgjedhur të shprehë stilin e vet dhe të shpalosë Kadarenë në gjithë dinjitetin e tij.