Dihet se mungesa e fuqisë punëtore do ta prekë rëndë Gjermaninë vitet e ardhshme. Sipas një studimi të ri kjo mungesë do të ndjehet në sektorin e tregtisë, të kopshteve të fëmijëve dhe tek puna sociale. Sipas një studimi të fundit të Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln, IW, mungesa e fuqisë punëtore që në vitin 2027 do të jetë shumë e ndjeshme në sidomos në sektorin e shitjeve në të gjithë Gjermaninë.
37.000 vende pune do të mbeten të pazëna, sepse nuk do të ketë mjaftueshëm fuqi punëtore të kualifikuar, thuhet. “Kush dëshiron në të ardhmen që në blerje të këshillohet nga një shitëse e specializuar duhet të presë më gjatë”-theksohet në studim.
Po kaq i madh është boshllëku i fuqisë punëtore edhe tek kujdesi i fëmijëve. Megjithëse numri i edukatoreve dhe edukatorëve të kopshtit nga viti 2022-deri në vitin 2027 do të rritet me 26% në 800.000 të punësuar, nevoja reale nuk plotësohet dot pasi kërkesat do të rriten më shumë.
Në vitin 2027 do të ketë 27.600 vende të pazëna. Tek nevojat për punonjës socialë e pedagogjikë boshllëku për fuqi punëtore në vitet e ardhshme do të mbushet disi, por sërish me 22.200 vende të pazëna, mungesa e punonjësve sociale do të jetë e treta në renditjen e nevojave për fuqi punëtore deri në vitin 2027. Pas tyre renditen menjëherë infermierët e punonjësit shëndetësorë me 20.300 forca të munguara dhe informaticienët me 19.000 vende të pazëna.