Cox Media Group (CMG) ka bërë një zbulim surprizues, duke konfirmuar se telefonat inteligjentë dëgjojnë në mënyrë aktive bisedat e përdoruesve për të ofruar reklama të synuara. Ky zbulim erdhi gjatë një prezantimi para investitorëve, disa ditë më parë, ku firma e marketingut – klientët e profilit të lartë të së cilës përfshijnë Facebook dhe Google – prezantoi softuerin e saj “Active Listening”.
Siç theksohet, softueri përdor Inteligjencën Artificiale (AI) për të mbledhur të dhëna zanore në kohë reale nga bisedat e përdoruesve, duke i çiftuar ato me të dhënat e sjelljes për të krijuar reklama të personalizuara për klientët në treg. Më 26 gusht, CMG konfirmoi se mikrofonat në telefonat inteligjentë të përdoruesve po përdoren për shënjestrimin e reklamave, duke shkaktuar shqetësime për privatësinë.
Softueri i drejtuar nga AI i CMG gjurmon të dhënat e përdoruesve nga mbi 470 kanale, duke analizuar bisedat e folura dhe sjelljet në internet për të ofruar reklama të bazuara në qëllim. Pas këtij zbulimi, Google hoqi me shpejtësi Cox Media Group nga programi i saj partner. Aty nuk specifikohet nëse këto të dhëna zanore vijnë nga televizorët inteligjentë, altoparlantët inteligjentë ose telefonat inteligjentë, thuhet në një shkrim të The Guardian.
Është e vështirë të dihet se sa i përhapur është përdorimi i këtij shërbimi. Një zëdhënës i Google theksoi se të gjithë reklamuesit duhet të respektojnë ligjet në fuqi dhe politikat e Google Ads, duke deklaruar:
Kur të identifikojmë reklamat ose reklamuesit që shkelin këto politika, ne do të ndërmarrim veprimet e duhura.
Ndërsa Meta, kompania mëmë e Facebook, kishte thënë se po shqyrton gjithashtu aktivitetet e CMG për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë shkelje të kushteve. Në përgjigje të polemikave, një zëdhënës i Meta tha:
Meta nuk përdor mikrofonin e telefonit tuaj për reklama dhe ne e kemi pasur të qartë këtë për vite me radhë. Ne po kontaktojmë Cox Media Group për të siguruar që programi i tyre nuk po përdor të dhënat tona.
Polemika lidhet me dyshimet e gjata nga përdoruesit të cilët pretendojnë se kanë parë reklama për produkte menjëherë pasi i përmendën ato në biseda të rastësishme, pavarësisht se nuk i kanë kërkuar kurrë ato në internet.
Rikujtojmë se, kompania Google ka një funksion që i lejon asaj të regjistrojë fshehurazi zërat e përdoruesve dhe t’i ruajë ato për qëllime të ndryshme. Google ruan audio regjistrimet e aktivitetit të përdoruesve në internet dhe në aplikacione, duke përfshirë kërkimin verbal, asistentët dhe hartat, të gjitha me synimin për të përmirësuar teknologjinë e njohjes së zërit. Një ekspert i teknologjisë zbuloi kohët e fundit një “kod mashtrimi” që ai pretendon se mund të parandalojë Google që të regjistrojë aktivitetet që përdoruesit bëjnë në telefonat e tyre. Përdoruesit mund të personalizojnë llogarinë e tyre të Google duke zgjedhur cilësimet e duhura në seksionin “Data and privacy”, ku mund të bllokojnë hyrjen në mikrofon dhe kamerë.