Bota

Mund të ketë dështuar testimi i ri i raketës balistike ndërkontinentale ruse!

Pamjet e reja satelitore shfaqin një çarje të madhe në një kozmodrom rus, për të cilin ekspertët thonë se mund të jetë pasojë e një testimi të dështuar të një rakete balistike ndërkontinentale. Një ditë më parë, katër automjete zjarrfikësish u panë po ashtu në fotografitë e Kozmodromit Plesetsk, i cili ndodhet në rajonin Arhangelsk, në veri të shtetit rus.

Një analist i Inteligjencës, i identifikuar si përdoruesi @MeNMyRC1, i cili i ka analizuar pamjet, tha se “çarja mund të jetë shkaktuar nga një shpërthim i një rakete balistike ndërkontinentale, RS-28 Sarmat”. Të tjerë analistë ranë dakord me vlerësimin e tij.

Nëse një gjë e tillë rezulton e vërtetë, atëherë do të jetë hera e katërt që një raketë Sarmat ka dështuar.

Në prill të vitit 2022, Rusia pretendoi se kishte testuar me sukses këtë raketë. Sarmat, zhvillimi i së cilës nisi në vitet 2000, është një raketë me lëndë djegëse e projektuar që të udhëtojë deri në 18 mijë kilometra. 35 metra e gjatë, thuhet se mund ta mbartë një ngarkesë prej 10 tonësh me koka të ndryshme raketore.

Ndërkaq, Rusia nuk ndal bombardimet në Ukrainë. Moska kreu sulme ajrore në qytetin Zaporizhja duke dëmtuar disa blloqe të ndërtesave të larta të banimit dhe për pasojë u plagosën 13 civilë. Ministria e Brendshme në Kiev njoftoi se ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar banorët nga disa objekte. Edhe një ditë më parë, zyrtarët ukrainas raportuan për një sulm të ngjashëm rus në Harkiv e ku u plagosën 21 persona.

Vazhdimisht, Rusia e mohon se kryen sulme ndaj civilëve, por mijëra ukrainas kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të tilla që nga koha kur presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë e të paprovokuar të vendit fqinj, në shkurt të vitit 2022.

Ndërsa ushtria ruse kreu këtë sulm të ri, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Nju Jork merr pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zelensky do të takohet me liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden.