Tech

Mund të futet në një çantë shpine, SpaceX zbulon antenën satelitore të internetit “Starlink Mini”!

SpaceX po nxjerr në treg një version kompakt të antenave të saj Starlink, të cilat kompania po i reklamon si një opsion mobil për klientët e saj të internetit satelitor. “Starlink Mini është një komplet kompakt, portativ që mund të përshtatet lehtësisht në një çantë shpine, i projektuar për të ofruar internet me shpejtësi të lartë”-sipas një emaili klienti të dërguar nga SpaceX.

Siç thuhet më tej, kompania po ofron një “numër të kufizuar” të antenave Starlink Mini për 599 dollarë. Antena Starlink Mini është afërsisht sa madhësia dhe pesha e një laptopi, pak më shumë se dy kilogramë dhe me përmasa rreth 12 inç me 10 inç me 1,5 inç. Ajo është afërsisht gjysma e madhësisë dhe një e treta e peshës së antenës Standarde të Starlink. Emaili nuk specifikonte se kur do të fillonin dërgesat e Starlink Mini.

Por në një postim në mediat sociale, zëvendës-presidenti i Starlink Engineering, Michael Nicolls tha se kompania po përshpejton prodhimin në Starlink Mini dhe se do të jetë i disponueshëm në tregjet ndërkombëtare së shpejti. CEO i SpaceX, Elon Musk nga ana tjetër shkroi në një postim së fundmi se Starlink Mini “do të ndryshojë botën”.

Rikujtojmë, se një vloger i njohur në platformën e YouTube si Ryan’s Model Y ka futur në test shpejtësinë e rrjetit 5G si dhe atë rrjetit Starlink. Starlink është shërbim interneti satelitor në kuadër të kompanisë me mision hapësinor SpaceX në pronësi të miliarderit dhe sipërmarrësit Elon Musk. Në këtë rast, Youtuberi mati shpejtësinë e internetit 5G dhe rrjetit satelitor të Starlinkut, nëpërmjet një video të cilën e publikoi në platformë. Sipas tij, rrjeti 5G fitoi dukshëm këtë test duke e arritur shpejtësinë maksimale të internetit me 739.44 megabit për sekondë.