Botë e Çuditshme

“Mumja misterioze” surprizon punonjësit e muzeut në Indiana!

Pronarët e një muzeu kanë mbetur të habitur pas arritjes së një pakoje misterioze, që përmbante një figurë që dukej si një “hibrid mes një miu dhe një njeriu”. Pakoja e çuditshme e surprizoi stafin në Muzeun Historik të Qarkut Wayne në qytetin amerikan të Richmond, Indiana, kur ata arritën në punë të hënën e kaluar.

Brenda kishte diçka që i ngjante një “mumjeje” me një kokë që dukej si mi, një trup njeriu dhe dhëmbë dhe kthetra të mprehta, shoqëruar nga një shënim. Brenda shënimit thuhej se figura në fjalë ishte “Djaloshi Mi nga Richmond”, dhe se ishte gjetur para shumë kohësh në bodrumin e një spitali të zonës, teksa ajo i përkiste një shokut të gjyshit të personit që e kishte dhuruar “mumjen” tek muzeu. Menaxherja e sektorit të koleksioneve Kerry George u shpreh:

Bashkëpunëtori im e solli brenda që ta hapja. Ne bënim shaka se ndoshta ishte një kokë e prerë, pasi që të gjithë shohim shumë filma horror. Lexova shënimin që ndodhej brenda kutisë, falënderuese që kisha të paktën disa informacione për përmbajtjen, vura disa doreza nitrili, sepse nuk e dini kurrë se çfarë ka aty… dhe e hapa. Brenda saj kishte disa gazeta të vjetra që ishin përdorur si mbushje, të cilat datonin nga viti 2019. Koka e Djaloshit Mi ishte gjëja e parë që pashë dhe fillimisht mendova se ishte një copë taksidermie e tmerrshme. Kur nxora pjesën tjetër të gazetës, ai ishte aty me gjithë lavdinë e tij.

Stafi i muzeut mendon se artefakti është ndoshta i rremë, diçka që u përdor si një atraksion në cirk. Mendohet se e ka origjinën në cirqet që frekuentonin zonën nga vitet 1910 deri në 1930. Kerry shtoi:

Ai do të mbetet me ne përgjithmonë. Ne do ta ruajmë dhe do të kujdesemi për të në të njëjtën mënyrë që kujdesemi për të gjitha artefaktet tona. Ai është bërë kaq i popullarizuar sa po planifikojmë një mënyrë për ta ekspozuar atë – dhe një nga bizneset me porosi të bluzave të Richmond ka krijuar tashmë bluza që ne t’i shesim për të ndihmuar me kujdesin e tij.