Aktualitet

Muhamet Rrumbullaku dorëhiqet nga drejtimi i Policisë/Hapet gara për kreun!

Pas dy vitesh në krye të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dha dorëheqjen, çka hap garën për kreun e ri të uniformave blu. Në orën 10:00 pritet që ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha të mbledhë vartësit në strukturat policore. Po ashtu, pritet që edhe Rrumbullaku të jetë i pranishëm, pavarësisht dorëheqjes. Ndërkaq, deri në zgjedhjen e kryepolicit të ri, mësohet se kompetencat i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga.

Dy ditë më parë, më 4 shtator, në Fletoren Zyrtare u publikua udhëzimi i firmosur nga ministri për “Përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”. Udhëzimi i ministrit të Brendshëm “për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen  e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mban nr 160, datë 2.9.2024 e është botuar në Fletoren Zyrtare më 4 shtator të këtij viti dhe po në këtë ditë ka hyrë në fuqi.

Sipas udhëzimit, kandidatët verifikohen dhe nga SHISH-i e Prokuroria ndërsa gara mund të ndiqet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian me të deleguarit përkatës.

Ministria e Brendshme shpall thirrjen për shprehje interesi për pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.  Thirrja publikohet në faqen zyrtare të ministrisë e drejtorisë së policisë, si dhe në mediat e shkruara e audiovizive.

Thirrja qëndron e hapur për 7 ditë, por mund të zgjatet me urdhër të ministrit. Brenda kësaj kohe aplikantët kanë të drejtë të dorëzojnë shprehjen e interesit bashkëngjitur dhe me dokumentet përkatëse. Pas përfundimit të këtij afati 7-ditor, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Gara, nga seancat degjimore tek emri në kryeministri

Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm, i ngritur për këtë proces, kryen vlerësimin paraprak dhe më pas harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore e të atyre që nuk i plotësojnë. Lista publikohet në faqe zyrtare dhe duhet të bëhet jo më vonë se dy ditë pune pas mbylljes së thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton të paktën tre ditë para seancës dëgjimore. Kur e sheh të nevojshme, kërkon informacione të mëtejshme nga kandidatët, në organet publike ose punëdhënësi i kandidatit.

Brenda 48 orëve nga seanca e fundit dëgjimore, Komisioni përpunon të dhënat dhe harton tabelën përfundimtare të vlerësimit të kandidatëve. Më pas  i dorëzon ministrit renditjen e kandidatëve, në bazë të disa kritereve së bashku me formularin e vlerësimet me shkrim, për secilin kandidat. Secili kandidat vlerësohet në 4 kritere, me 100 pikë në total.

Në përfundim të renditjes, ministri i propozon kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi i ministrit shoqërohet me një relacion, që shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan, si dhe shkaqet për propozimin e kandidatit përkatës për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kryeministri ka tagrin e zgjedhjes apo emërimit të kryepolicit, pra firmos emrin.