Në muajin janar ka një rritje të konsiderueshme të sulmeve në zemër. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit janë më të prirur për të përjetuar sulm në zemër në janar dhe dhjetor sesa në muajt e tjerë të vitit. Kjo dukuri nuk duket të jetë direkt e lidhur me motin. Në fillim ekspertët menduan se incidentet në rritje ishin për shkak të motit të ftohtë. Më pas, një studim i vitit 2004 i botuar në revistën “Circulation” synoi të zbulonte nëse vdekjet kardiake kishin lidhje me pushimet dhe jo me rënien e temperaturave.
Autorët e studimit shqyrtuan një bazë të dhënash të certifikatave të vdekjes gjatë viteve 1973-2001 të Qendrës Kombëtare për Statistikat Shëndetësore në SHBA (NCHS). Ata vunë në dukje se në cilën periudhë të vitit kishin ndodhur vdekjet dhe si kishte vdekur secili nga individët. Ata morën parasysh të gjitha llojet e vdekjeve dhe jo vetëm vdekshmërinë e lidhur me problemet e zemrës. Më pas studiuesit kombinuan vdekjet kardiake për të gjitha vitet dhe krijuan një tabelë që tregonte frekuencën e ditëve të vitit kalendarik kur ndodhën këto ngjarje.
Vdekjet si pasojë e sulmeve kardiake ishin më të ulëta në korrik dhe më pas arritën kulmin ditën e Krishtlindjes. Pati një rënie të lehtë dhe më pas një tjetër kulm më 1 janar. Shkalla e vdekjeve kardiake mbeti e lartë deri në janar dhe më pas filloi të bjerë në pranverë dhe në fillim të verës. Rreziku ishte më i madh për personat mbi 75 vjeç, diabetikët dhe ata që kishin një histori të sëmundjes së arterieve koronare.
Rënia e temperaturave gjatë muajve të dimrit është fajësuar prej kohësh për sulmet në zemër, sepse moti i ftohtë rrit presionin e gjakut dhe ngushton enët e gjakut. Një studim i ri, rezultatet e të cilit u publikuan në “Journal of the American Heart Association”, tregon se të rriturit që preken nga herpes zoster kanë një shans prej 30% më të lartë për të pasur një atak në zemër ose për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës.