Ditë prezantimesh për trajnerët e kombëtareve. Pas Sylvinho që firmosi për Shqipërinë, edhe Portugalia ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Roberto Martinez do jetë trajneri i ri i luzitanëve, me 49-vjeçarin spanjoll që ka firmosur deri verën e 2026.
Ish-trajneri i Everton, Suansea apo edhe Uigan në Angli, prej 2016 ka qenë pjesë e Belgjikës. Me “Djajtë” Martinez nuk ia doli të fitojë asnjë trofe të rëndësishëm, paçka organikës së mirë dhe talenteve të shumta. Prej ditës së sotme ai nis punën për Europianin 2026, ndërsa për mediat tregoi se është projekti që donte.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, jam i lumtur që jam në gjendje të përfaqësoj një nga ekipet më të talentuara në botë, projektin që doja”, tha Martinez për mediat.
“Unë e kuptoj që ka pritshmëri dhe synime të larta, por gjithashtu kuptoj që ka një grup të madh njerëzish që punojnë për të përmbushur objektivat tona. E rëndësishme është që ne jemi një ekip shumë konkurrues. Kur mendoj për karrierën time ndërkombëtare, në gjashtë vjet e gjysmë ne ishim të pamposhtur në 28 ndeshje për turnetë e mëdha. Është një mënyrë për ta bërë ekipin konkurrues”, tha Martinez.