Aktualitet

Moti i ngrohtë, turistët shijojnë Shqipërinë edhe në tetor!

Fluksi i turistëve po e shoqëron bregdetin e jugut edhe në mes të këtij muaji. Nisur nga temperaturat e larta, Saranda po vijon që të presë turistë, të cilët kanë zgjedhur të shijojnë plazhet e qytetit jugor. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga bregdeti i Sarandës, ku këtë të diel, pushues të shumtë po marrin rreze dielli dhe po shijojnë bregun jonian.


Më herët gjatë ditës, shefi i qeverisë publikoi në rrjetet sociale pamje nga kantieri i rrugës Shëngjin-Velipojë duke e cilësuar si “një investim strategjik në fushën e turizmit”. Në postimin e tij, Rama shtoi edhe se “do të jetë ndër akset më panoramike të Shqipërisë”.

Rruga Shëngjin-Velipojë konsiderohet një aks i rëndësishëm dhe me hapjen e saj do të krijohet një bosht i ri në një zonë me potencial shumë të madh zhvillimi turistik. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese, si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, veçohen si prioritete në punën e qeverisë.

Një ditë më parë, zv.kryeministrja Belinda Balluku njoftoi se në 9-mujorin e parë të vitit, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit u përpunuan 8 milion e 250 mijë pasagjerë ose 53.7% më shumë se për të njëjtën periudhë të 2023-shit.

Në konferencën e organizuar në përmbylljen e sezonit turistik veror 2024, Balluku vlerësoi se flukset e turistëve ishin të paparashikueshme dhe kanë tejkakuar pritshmëritë e vendosura në fillim të vitit.

Parashikimet për numrin e pasagjerëve deri në fund të vitit janë 10.4 milion pasagjerë.

Numri dy i qeverisë shprehu bindjen se edhe kjo shifër do të tejkalohet.

Nga lugina romantike e Rhine-it deri te fjordet e Islandës dhe vendet e mrekullueshme arkeologjike të Shqipërisë, ne ju rekomandojmë destinacionet më të bukura për të zbuluar përmes një lundrimi në Europë” dhe sugjerimi vjen në një artikull të botuar gazetën e njohur franceze “Le Figaro” që ndër të tjera ndalet edhe në zbulimin e Shqipërisë.

Vizitoni Shqipërinë e fshehtë, një vend ende i ruajtur për t’u zbuluar dhe admiruar. Jetoni këtë eksperiencë unike në Shqipëri duke kaluar nëpër Greqi dhe Mal të Zi. Historia e saj karakterizohet nga aventura të shumta, që nga kolonitë greke të Ilirisë së lashtë e deri te osmanët. Vendet e saj të mrekullueshme arkeologjike dhe atmosfera e saj orientale në udhëkryqin e qytetërimeve emocionojnë çdo vizitor të saj.

Shqiptarët janë trashëgimtarë të ilirëve, vendosja e të cilëve në territorin e Republikës së Shqipërisë aktuale është dokumentuar që në antikitet. E vendosur në bashkimin e qytetërimeve të mëdha mesdhetare, Shqipëria ka përjetuar ndikime të shumta: greke, romake, bizantine, osmane, italiane, austro-hungareze…

Udhëtimi drejt Shqipërisë në një lundrim luksoz i lejon vizitorit të vlerësojë pasurinë historike mahnitëse të këtij vendi pothuajse të paprekur nga turizmi masiv. UNESCO e renditi rajonin e Liqenit të Ohrit si një vend të trashëgimisë botërore në vitin 1979. I ndërtuar në buzë të liqenit, qyteti me të njëjtin emër është një nga vendbanimet më të vjetra njerëzore në Europë.