Aktualitet

Moti i keq, shmanget tragjedia në Lezhë!

Një tragjedi e lidhur me pasojat e motit të keq u shmang sot në fshatin Kaluer të njësisë administrative Ungrej, kur një makinë ku udhëtonin pesë anëtarë të një familjeje tentoi të kalonte në anën tjetër të përroit me makinë. Niveli i përroit dhe rrjedha e fortë izoloi automjetin duke lënë të bllokuar pesë personat të cilët ishin brenda tij. Kanë qenë banorët e zonës, të cilët kanë bërë të mundur daljen e tyre nga makina duke u shpëtuar jetën.

Sipas banorëve, familja po kthehej nga një ceremoni varrimi. Ky përrua ndan dy fshatra të kësaj njësie administrative. Shembja e urës prej vitesh detyron banorët e këtyre zonave të kalojnë përmes përroit, ku niveli rritet dhe më shumë kur ka reshje shiu, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.

Në një tjetër zhvillim, trupi i një gruaje të pajetë u pa sot në lumin Shkumbin. Dyshohet se viktima është një banore e zonës dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor. Mbrëmjen e kaluar familjarët denoncuan zhdukjen e saj.

Në zonë shkuan forcat e policisë dhe zjarrfikës, por e patën të pamundur të hynin në lumë për shkak të prurjeve të shumta si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Autoritetet lokale njoftuan polumbarët nga Tirana.