Rajoni

Moti i keq godet Ballkanin, nuk kursen as Kosovën!

Për ditën e sotme, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëroi stuhi dhe rrufe. Përmes një njoftimi për shtyp, iu bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin shëtitjet ose punët jashtë në ajër të pastër, si dhe paralajmëroi për kaos të mundshëm në lidhjet telefonike. Dhjetë ditë më parë, qyteti i Prishtinës u pushtua nga ujërat, si pasojë e reshjeve të rrëmbyera të shiut.

Por, moti i keq ka përfshirë edhe të tjera vende të Ballkanit. Në Mal të Zi, stuhia shkaktoi reshje të dendura shiu, erë dhe bubullima. Mediat atje raportojnë për një viktimë në qytezën Çanj, si pasojë e rrëzimit të një vinçi. Një tjetër person humbi jetën nga goditja e rrufesë në Llushticë.

Shirat e shoqëruar me erëra të forta, sot shkaktuan dëme të mëdha materiale në Trebinje, qytet në jug të Bosnjë-Hercegovinës. Erërat shkaktuan thyerjen e pemëve, të cilat dëmtuan disa makina. Zjarrfikësit dhe ekipet e mbrojtjes u shpërndanë në terren.

Institutit Federal Hidrometeorologjik paralajmëroi për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike e të furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërkaq, në Serbi, shira të furishëm ranë në disa qytete, përfshirë Beogradin, Smederevën e Shabacin, si dhe disa zona mbetën pa energji elektrike.

Njësitë e zjarrfikësve në Beograd njoftuan se gjatë natës bënë 28 ndërhyrje. Pjesa më e madhe e tyre kishte të bënte me largimin e pemëve të rrëzuara, ndërsa në disa raste të tjera, zjarrfikësit shuan zjarret e shkaktuara nga rrufetë.

Aeroporti i Beogradit “Nikolla Tesla” paralajmëroi vonesa të mundshme të fluturimeve, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Kompania ajrore “Air Serbia” njoftoi se po bën gjithçka mundet për t’u kujdesur për të gjithë pasagjerët, fluturimet e të cilëve do të vonohen.

Mot i paqëndrueshëm edhe në vendin tonë. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme si rezultat i depërtimit të masave ajrore të lagështa e më të freskëta, me origjinë veriperëndimore.

Fillimisht, moti nisi me kthjellime dhe alternime vranësirash që prej mesdite, bëhen mesatare e deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave, në një pjesë të madhe të vendit.

Në zonën e veriperëndimit e pjesërisht në qendër, për një periudhë të shkurtër kohore, reshjet do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve të rrëmbyeshme, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Reshjet e rrëmbyeshme bëhen problematike në zonat urbane për një periudhë të shkurtër kohore. Mjegullinë dhe shikim të reduktuar ka në momentin e reshjeve të shiut.