Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit pati reshje shiu me intensitet mesatar, shoqëruar me erë të fortë në zonën veriore duke sjellë rënie gurësh e inertesh që sipas ARRSH-së u pastruan menjëherë. Në lartësinë mbi 1 200 metra pati reshje dëbore.
Në Bogë-Theth e në Han i Hotit-Tamarë, në lartësinë mbi 1 200 metra pati reshje dëbore. Grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren, bënë pastrimin e rrugës ndërsa qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset. Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë.
Moti i keq me shira intensivë dhe erë të fortë, sot dëmtuan çatinë e Spitalit të Pukës. Nga shkulja e mbulojës metalike, dy pavionë, Patologjia dhe Pediatria janë jashtë funksionit momentalisht. Stuhia ka shkaktuar dëmtime edhe në rrjetin energjitik duke bërë që në qytetin verior të mungojë energjia elektrike. Po ashtu, probleme raportohen edhe në disa akse të zonës nga rrëshqitja e inerteve.
Më herët u raportuan problematike në verilindje. Në Dibër, gurë të shumtë ranë në aksin nacional Skuraj-Burrel duke bllokuar qarkullimin në segmentin e Shkopetit. Drejtuesit e mjeteve të vogëla u zunë në befasi në orët e para të mëngjesit kur qëndruan për rreth 1 orë të bllokuar. Qarkullimi u normalizua pas ndërhyrjes së firmës mirëmbajtëse që bëri pastrimin.
Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, si rezultat i qarkullimit ciklonar, shoqëruar me masa ajrore të lagështa. Moti mbetet me alternime vranësirash në orët e para të ditës dhe pas mesditës, me kthjellime. Temperaturat variojnë 4-19 gradë celcius.
Në Kosovë, Prishtina është zbardhur nga reshjet e dëborës ndërsa dimri ka trokitur në kryeqytetin e Kosovës, si edhe ka mbuluar zonat më të thella. Parashikimet e motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thonë:
Edhe sot, në vend do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të dendura të shiut dhe borës. Reshjet parashihen të përfshijnë gjithë territorin e Republikës. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet – 1 deri 2gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-6gradë Celsius. Fryn erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-6m/s.