Bremer ka qenë lojtari i vetëm i Juventusit që deri në minutën e 6-të ndaj Lajpcigut i kishte luajtur të gjitha minutat në formacionet e Tiago Motës. Mbrojtësi brazilian ishte një lojtar i pazëvendësueshëm deri sa dëmtimi e bën atë që mos të prek më fushën e lojës për një kohë të gjatë.
Tashmë është momenti që Mota të harrojë dhimbjen e kokës, por të gjejë zgjidhjen që duhet në mbrojtje edhe pse do duhet të bëjë pa një lider të padiskutueshëm në sfidat e para. Si mendim i parë vjen Kalulu, “xholi” i Motës që mund të luajë si në krah, ashtu edhe në qendër. Ndaj Lajpcig ai ishte shok reparti në qendër të mbrojtjes me Bremerin, ndërsa në vazhdim do të jetë me Gatin.
Alternativat e tjera janë Danilo, e Kabal, por askush nuk e bind Motën më shumë se Kalulu-Gati për momentin. Por dëmtimi i Bremerit mund të shihet edhe në një tjetër panoramë. Tashmë Savona do të ketë më pak rivalitet, pasi mbrojtësi që i ka marrë më shpesh vendin e formacionit ka qenë Kalulu, që do të jetë i detyruar të luajë në qendër. Një vend pothuajse i sigurt për talentin italian, që konkurrencën e Danilos nuk po e ndjen shumë.
Sakaq, Danilo po shihet gjithashtu si alternativë në qendrën e mbrojtjes së bashku me Kabal edhe pse roli i tyre i preferuar është në krah. Hapësirat për të dy mbrojtësit priten të shtohen në vazhdim, por edhe këtu ka një fitore të Motës. Fakti që ka zgjedhur lojtarë që mund të bëjnë dy role e ka bërë atë që të mos gjendet në një emergjencë totale pas dëmtimit të Bremer, edhe pse mundësia që “Zonja” të hidhet në merkato nuk përjashtohet.