Bota

Mostrat biologjike të sulmuesve të Banjskës dërgohen për ekzaminim në Finlandë!

Mostrat biologjike, të cilat terroristët e Banjskës lanë në sendet që u gjetën në vendin e ngjarjes, janë dërguar për ekzaminim në Finlandë, pasi në Kosovë laboratori është jashtë funksionit. Por, kritikat e njohësve të drejtësisë shkojnë në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrit Kurti, që nuk po vihen në funksion laboratorët.

Në Finlandë janë dërguar mostrat biologjike të gjetura në vendin ku qëndruan sulmuesit që ishin pjesë e grupit terrorist që organizuan sulmin në shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Laboratori i toksikologjisë është jashtë funksioni për shkak të kushteve fizike të krijuara pas incidentit me zjarrin në fund të vitit 2023. Funksionalizimi i laboratorit është i ndërlidhur me renovimin e objektit të IML-së dhe sapo të fillojë renovimi pjesa e laboratorit do të ketë prioritet gjatë intervenimit. Mostrat biologjike të rastit Banjska janë dërguar jashtë vendit (Finlandë) në koordinim me MD-në dhe PSRK-në dhe jemi në pritje të rezultateve brenda një afati optimal.

Dërgimi i mostrave atje shkaku se nuk mund të bëhet në Kosovë po mban peng edhe ngritjen e aktakuzës. Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani konfirmon se prokuroria nuk mund të ngrejë aktakuzë pa pasur ekspertizat e duhura dhe se nuk duhet të shpejtohet, meqë rasti është shumë i rëndë.

Nuk është në kompetencën e qeverisë me vlerësu fuqinë e provës se çfarë prova janë siguruar, atë e vlerëson prokuroria, ngase është institucioni vetëm që bënë ndjekjen penale dhe analizën e provave nëse e ka siguruar ose jo, këtë po e them sepse shpesh po dëgjoj nëpër intervista të ndryshme se Policia ka ofrua  prova mjaftueshme dhe ajo nuk po vepron, ajo është absurde të thuash ashtu.

Në lidhje me kritikat e vazhdueshme, por edhe për hetimet në rastin e Banjskës, nga Prokuroria Speciale kanë thënë se nuk dëshirojnë të flasin e as të komentojnë. Më 24 shtator të vitit të kaluar, nga grupi që po udhëhiqej nga Milan Radojçiç, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.