Bota

Moska i ‘tërheq’ veshin Beogradit, shkak ndihma për…

Numri dy i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko vizitoi së fundmi Beogradin për të takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe duke vlerësuar marrëdhëniet ruso-serbe dhe i vlerësuan si shumë të mira.

Megjithatë në kryeqytetin serb raportohet se Grushko nuk ka pasur si qëllim të vizitës vetëm vlerësimin e Serbisë.

Duke pasur parasysh se vizita e zëvendësit të Sergei Lavrov vjen në një kohë pasi u njoftua se Kievi ka marrë armë me vlerë 800 milionë euro nga Serbia përmes ndërmjetësve nga shkurti i vitit 2022, lind pyetja nëse kjo është realisht arsyeja kryesore e vizitës sipas medias serbe Danas.

“Publikimi i këtyre të dhënave pothuajse të bujshme shpjegon në masë të madhe pse Perëndimi, duke shprehur periodikisht indinjatën për hezitimin e Serbisë për të ndjekur politikën e BE-së në lidhje me Ukrainën, nuk përdor asnjë masë ndëshkuese kundër Beogradit dhe vazhdon ta quajë liderin serb Aleksandar Vuçiç një partner të ngushtë”, vëren Genadi Sisojev, korrespondent i medias ruse Kommersant nga Ballkani.

Burime të gazetës ruse në Beograd të njohur me situatën konfirmojnë se Serbia në dy vitet e fundit ka rritur në mënyrë drastike prodhimin e produkteve ushtarake dhe shumë nga kompanitë e saj mbrojtëse tani punojnë me tre turne.

Burime të Komersant të njohur me qëndrimin e lidershipit serb thonë se në këtë situatë Beogradi “frikësohet para së gjithash nga një reagim i ashpër negativ nga Moska”, sepse informacione të tilla shfaqen rregullisht dhe Rusia pashmangshmërisht ka shprehur shqetësimin e saj në këtë drejtim.

Në të njëjtën kohë, media ruse Tv Cargrad , e cila është në pronësi të biznesmenit rus Konstantin Malofeev, i afërt me Putinin, njoftoi se

“Moska është shumë e pakënaqur me sjelljen e Beogradit, i cili në mënyrë indirekte u shet armë Forcave të Armatosura të Ukrainës”. Politika e uljes në “dy karrige” mund t’i kushtojë Serbisë anëtarësimin në BRICS, shkruan Cargrad.

Kështu, së fundmi u mësua se Serbia në mënyrë aktive po shet armë dhe municione në shtetet perëndimore, me pretendimin se nuk e di që këto armë do të shkojnë direkt në Ukrainë, ku do të përdoren kundër rusëve. Kjo është disi në kundërshtim me politikën e deklaruar të neutralitetit të Beogradit në lidhje me këtë konflikt.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë ka komentuar lajmin e përmendur, duke theksuar se Serbia mbështetet në interesat e saj kombëtare dhe se nuk mban përgjegjësi për armët e saj pasi të jenë shitur. Shumë ekspertë e konsideruan këtë një mashtrim të drejtpërdrejtë të Rusisë.

Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov njoftoi papritur se BRICS do të ndalojë përkohësisht çështjen e zgjerimit të anëtarësimit në vende të reja. Ky njoftim u interpretua si një sinjal për Beogradin se Rusia ishte e pakënaqur me një mosrespektim të tillë.

Kështu, përmbledh media ruse Beogradi u gjend mes dy zjarreve.

“Nga njëra anë, BE-ja vazhdon të injorojë kërkesën e vendit dhe nga ana tjetër, Rusia pushoi së toleruari përpjekjet e një “shteti mik” për t’u ulur në dy karrige dhe e bëri të qartë se nuk duan ta shohin atë në BRICS për momentin.

Disa portale ruse shkruajnë se Lavrov “i ka dërguar sinjal Serbisë për mosrespektim dhe mashtrim të Rusisë”, mes tyre Smolenska Narodna Gazeta , Giport.ru, etj.