Kryeministri Edi Rama kërkon adresim të shpejtë të çështjes së mosdeklarimit të pagave reale, ndërsa paralajmëron masa të rënda administrative dhe me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve. Deklaratat i bëri në një bashkëbisedim me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave, që më pas reflektohet në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në atë të pensioneve. Pjesë e takimit janë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Shmangien e detyrimit të kontributeve shoqërore nga mosdeklarimi real i pagave, Rama e cilësoi “grabitje të përditshme të pensionistëve nga bizneset”. Kryeministri theksoi se është koha për një front të përbashkët “për t’i dhënë fund këtij fenomeni të pajustifikueshëm dhe për t’u dhënë gjyshërve e gjysheve pjesën e merituar nga çdo pagë në këtë vend”.
Në këtë diskutim të hapur që ne kemi nisur dje dhe do ta vazhdojmë lidhur me një temë kyçe, me një shqetësim prioritar dhe me një detyrim madhor për ne si qeveri, por edhe për ju si sipërmarrje, kërkohet që askush nga ne mos t’i shmanget detyrimeve që kemi. Ne kemi detyrimin si qeveri të bëjmë çmos që jeta e tyre të jetë sa më e qetë dhe që kushtet e jetës së tyre të përmirësohen sa të jetë e mundur.
Për sipërmarrjet, Rama theksoi se kanë detyrimin të krijojnë punë në këtë vend dhe kanë detyrimin të paguajnë çdo qindarkë të çdo pagese, për çdo person të punësuar, që i takon pensionistëve.
Patjetër ky është edhe detyrim i çdokujt që merr një pagë. Ndërkohë që në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur sepse nuk varet nga sjellja e personit që paguhet por shkon direkt dhe derdhet në arkën e sigurimeve shoqërore, nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat.
Kryeministri theksoi se ka një problem të madh në këtë drejtim, pavarësisht të gjitha përmirësimeve që janë bërë me deklarimin e pagës reale.
Një problem shumë i madh që ne jemi shumë të vendosur ta adresojmë dhe të mos presim përmirësimin gradual por të kërkojmë një përmirësim të shpejtë, me një adresim të shpejtë. Por dëshirojmë dhe besojmë se kompanitë nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave të rënda administrative dhe me gjasë dhe penale për grabitjen e pensioneve.
Rama e cilësoi mosdeklarimin e pagave reale, “grabitje”. Sipas tij, “ky është një turp shumë i madh, një sjellje që ka marrë statusin e vijës së sjelljes në shumë biznese, me një mungesë përgjegjshmërie”.
Duam të përcjellim te ju dhe të gjithë ata që i përkasin kësaj kategorie të sipërmarrjes një shqetësim dhe një apel, një ftesë për të krijuar një front të përbashkët në këtë punë se në fund të ditës, ato para përsëri në masën më të madhe rikthehen në konsum dhe përsëri gjenerojnë të ardhura të tjera.