Opozita sot mban protestën e radhës, e cilësuar “Mosbindje civile” nga demokratët. Prej orës 17:oo do të ketë disa paralizime të akseve kryesore të vendit, nga veriu në jug.
Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Kamzës; Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit; Kashar-Milot, pranë kryqëzimit të Milotit; Elbasan-Tiranë, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; Durrës-Fier, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe Levan-Tepelenë, te rrethrrotullimi i Levanit.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në bazë e në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.
Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni. Ndërkohë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Gjithashtu, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë. Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se protesta e opozitës është etapa tjetër drejt fitores. Një natë më parë, ai u shpreh se nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë në misionin për “rikthimin e votës së lirë, me qeveri teknike për zgjedhje të lira, për ndryshimin e pushtetit, për rikthimin në Shqipëri të lirive, të drejtave, dinjitetit të qytetarëve shqiptarë”.
Për rikthimin në Shqipëri të një drejtësie që qëndron në ligj e Kushtetutë dhe jo si organizatë kriminale e marrë peng nga Edi Rama. Me betejën tonë ne duam dhe do të arrijmë të kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit, shpresës dhe rrugën e zhvillimit. Çdo demokrat duhet të bëjë gjithçka për t’i nxjerrë jetën këtij regjimi të pashpirt, për t’i marrë frymën, për t’i shkurtuar ditët dhe për të ecur të sigurt drejt fitores. Bllokimi i rrugëve, protesta, mosbindja civile e opozitës është kushtrimi i çdo qytetari.