Aktualitet Politikë

“Mos merrni mallkimet e pensionistëve…”/ Rama: Sigurimet shoqërore, detyrim ligjor dhe moral!

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit.

Kreu i qeverisë u shpreh se sigurimet shoqërore nga të cilët buron fondi i pensioneve janë detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral.

Në takim marrin pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, si dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Sigurimet shoqërore nga të cilat buron fondi i pensioneve janë një detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral i patjetërsueshme për të krijuar mundësinë që zinxhiri i solidaritetit të funksionojë. Ai detyrim sapo shlyhet shkon tek dikush që merr një pension. Institucioni i Sigurimeve Shoqërore nuk është fitimprurës, por siguron transferimin e fondeve nga përfituesit e të ardhurave nga puna në sektorin publik ose privat që kanë detyrim të paguajnë sigurimet shoqërore. Sot do fokusohemi te informaliteti i pagave si një armik, tha Rama.

Rama shtoi se bizneset, pavarësisht lehtësirave nga masat e marra nga qeveria, deklarojnë në mënyrë të gënjeshtërt paga për punonjësit nga 50 mijë lekë të reja, duke pasur parasysh faktit që kjo shumë është përjashtuar nga taksimi.

Nuk ka vend tjetër në botë, ku vetëm 10 përqind e bizneseve paguajnë Tatim mbi fitimin. 90 përqind janë të çliruara nga kjo barrë si rezultat i një strategjie dhe vendimmarrje të marra nga qeveria jonë prej vitesh tashmë, që kemi vendosur që deri në 2029 ta lehtësojmë.

Kjo për t’i dhënë krah e frymëmarrje e mundësi të zhvillohet. Por ka një shifër tjetër akoma më të jashtëzakonshme në unikalitetin e vet. Vetëm 27 përqind e bizneseve paguajnë TVSH. Kjo për të njëjtat arsye që thashë. Sot jemi në kushtet që ¼ e buxhetit shkon për pensionet dhe na mungon kontributi i sipërmarrjes, detyrim ligjor ky, si do t’i bashkojmë këto të dyja? I është dhënë sipërmarrjes gjithë kjo hapësirë lehtësie që se ka asnjë në rajon, por sipërmarrja vjedh pensionistët duke mos paguar detyrimet bazë.

Hoqëm taksën e sheshtë dhe kemi hequr dorë nga jo pak, por një shumë e konsiderueshme që ua kemi lënë mësuesve, infermierëve, punonjësve të të gjitha hallkave të zinxhirit ekonomik. Për 17 sektorë të ekonomisë janë 156 mijë të punësuar, që deklarohen me pagë 50 mijë lekë të reja, sepse e dimë të gjithë që kjo pagë është përjashtuar nga taksimi. Nuk ka asnjë logjikë që ta thotë që duhet ta pranosh këtë gjë, sepse janë paga të gënjeshtërta.

Kur të shkoni në botën tjetër e t’ju dalë para Shën Pjetri e t’ju pyesë ku doni të shkoni e ti thoni dua të shkoj në parajsë, do t’ju pyesë çfarë keni bërë. Edhe ata që falen 5 herë në ditë dhe nuk paguajnë siguracionet e plota. Qoftë edhe për atë moment, mendoni të mos merrni mallkimet e pensionistëve, u shpreh ai.