Food & Drink Health & Beauty

Mos i bëni naze kësaj pjate, gjithçka rreth benefiteve nga lëngu i kockave!

Kolagjeni është një proteinë që trupi e prodhon natyralisht. Kolagjeni gjendet në çdo organ të trupit, përfshirë kocka, lëkurë, ligamente dhe kërce. Kolagjeni bashkëpunon me proteinën elastinë për të ruajtur elasticitetin e indeve. Dielli, ndotja, radikalet e lira dhe duhanpirja, janë gjithashtu përgjegjës për rënien e sasisë së prodhuar të kolagjenit.

Trupi prodhon vazhdimisht kolagjen për të riparuar dëmet, por pas moshës 35-40 vjeçare, prodhimi dhe cilësia e tij zbehet. Lajmi i mirë është se, përveç trajtimeve kozmetike, ushqimi është një tjetër burim i pasur me kolagjen që ndihmon në trajtimet kundër plakjes. Një prej më të mirëve është padyshim lëngu i kockave. Lëngu i kockave është jashtëzakonisht i pasur me proteina dhe sasi domethënëse mineralesh, siç është kalciumi dhe fosfori.

Pirja e rregullt e tij, është thelbësore për furnizimin e trupit me kolagjen dhe mirëmbajtjen e rinisë së lëkurës. Me përdorimin e vazhdueshëm të lëngut të kockave, do të vëreni se lëkura juaj do të jetë më e ushqyer me vitamina, më elastike, më e butë, rrudhat do të zbuten dhe ajo do të ketë shkëlqimin rinor. Ky lëng rekomandohet edhe për njerëzit që kanë lëkura problematike me akne apo ata që vuajnë nga ekzema.

Ndërkaq, ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir magjik për organizmin. Lëngu i mishit dhe i kockave është shumë i pasur me ushqyes dhe për më tepër përgatitet shumë lehtë në kuzhinë. Një drekë familjare në vendin tonë nuk mund të imagjinohet pa këtë pjatë, por një mjek rus pretendon se është një “vrasës” i enëve të gjakut dhe zemrës. Doktor Andrey Bobrovsky, një nutricionist rus dhe doktor i shkencave mjekësore, zbuloi se lëngu i mishit, i çdo lloji, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.

Siç shpjegoi ai, nëse e përdorni rregullisht këtë pjatë të bërë në shtëpi, rrisni rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. “Është vërtetuar se shumë sëmundje moderne janë të lidhura me përdorimin e vazhdueshëm të acideve yndyrore të ngopura, gjegjësisht yndyrave shtazore”, tha Bobrovski dhe shpjegoi se i referohej sëmundjeve të tilla si ateroskleroza, sëmundjet kardiovaskulare, infarkti dhe goditjet në tru.