Aktualitet

Morinë, ndalohet një turk në kërkim nga Gjermania!

Policia Kufitare e Morinës ndaloi një shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për vjedhje dhe për plagosje.

Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi turk Z. O., 35 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje dhe për plagosje.

Vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit, në Gjermani.

Në një tjetër zhvillim, u sekuestruan dhjetëra doza kokaine, ekstazi dhe kanabis, 6 të arrestuar dhe 15 të proceduar në Lezhë.

Sekuestrohen dhjetëra doza të lëndëve narkotike kokainë, ekstazi dhe cannabis sativa, si dhe pajisje për përpunimin e lëndëve narkotike dhe 1 mjet prerës (thikë).

Në vijim të zbatimit të masave të përcaktuara në megaoperacionin policor mbarëkombëtar “Tempulli 3”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Focës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë kryer kontrolle në disa automjete dhe ndaj disa shtetasve, në aksin rrugor “Lezhë-Shëngjin”.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. G., 28 vjeç, banues në Prishtinë, D. Xh., 20 vjeç, banues në Gjilan, E. H., 23 vjeç, banues në Gjilan, A. H., 23 vjeç, banues në Ferizaj, G. B., 23 vjeç, banues në Pejë dhe N. S., 20 vjeç, banues në Prishtinë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit: E. S., 24 vjeç dhe Xh. Z., 27 vjeç, banues në Zvicër; A. K., 24 vjeç, banues në Gjakovë, B. R., 26 vjeç, banues në Kaçanik, E. H., 28 vjeç dhe D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë; L. J., 27 vjeç, banues në Prishtinë, S. R., 31 vjeç, banues në Ekuador, C. C., 27 vjeç, banues në Barcelonë, G. T., 24 vjeç, banues në Ferizaj, L. K., 23 vjeç, A. M., 23 vjeç, A. Sh., 38 vjeç, A. B., 27 vjeç dhe E. C., 23 vjeç, banues në Prishtinë.

Këtyre shtetasve, nga kontrollet fizike dhe në mjetet me të cilat lëviznin, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza cannabis sativa, ekstazi, kokainë, si dhe pajisje për përpunimin e këtyre lëndëve dhe 1 mjet prerës (thikë).

Megaoperacioni policor “Tempulli 3” vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.