Aktualitet

Morinë, kapet grupi i kontrabandistëve/Në pranga 1 doganier, 3 policë nën hetim!

Një grup personash që kalonin pjesë automjetesh kontrabandë nga Kosova drejt Shqipërisë u godit nga Policia Kufitare e Pikës së Kalimit Kufitar në Morinë. Sipas njoftimit të Policisë së Kukësit, në kuadër të operacionit të koduar “Linja”, në pranga ranë katër vetë, mes tyre dhe një doganier, ndërsa tre punonjës policie u vunë nën hetim. Kontrollorët dyshohen për shpërdorim detyre. Në një autobus transportoheshin disqe makinash të kontrabanduara me vlerë rreth 8 mijë euro. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar policor: 

Si rezultat i një hetimi të ndjekur proaktivisht për goditjen e rasteve të transportimit të mallrave të ndryshme nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri, u finalizua operacioni policor i koduar “Linja”. Në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit: Sh.H., 53 vjeç, G.B., 37 vjeç dhe I.H., 35 vjeç, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim; Xh.Sh., 46 vjeç, me detyrë doganier në Degën Doganore Morinë, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E.D., 28 vjeç, H.K., 54 vjeç dhe B.Gj., 50 vjeç, punonjës policie, me detyrë kontrollorë në PKK Morinë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, njofton Policia.

Shtetasit Sh.H., G.B. dhe I.H. u kapën në flagrancë teksa transportonin me një autobus që e drejtonte 53-vjeçari, disqe automjetesh me vlerë rreth 8000 euro, të dyshuara të kontrabanduara nga Kosova, me qëllim shitjen në Shqipëri. Në vijim, nga hetimet dyshohet se shtetasi Xh.Sh. ka bashkëpunuar me tre të arrestuarit për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe se tre të proceduarit, duke shpërdoruar detyrat e tyre, kanë lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie. Vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit për veprime të mëtejshme.