Aktualitet

Mori tendera nga ish-kreu i ARRSH-së, Apeli i Posaçëm rikthen në qeli Ervis Lamin!

Në një vendim të marrë ditën e sotme, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka kthyer në qeli biznesmenin Ervis Lami, i cili akuzohet se ka marrë tendera nga ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i arrestuar. Lami, administronte kompaninë “DAAM” e që sipas SPAK-ut ishte në pronësi të Berberit.

Referuar Prokurorisë së Posaçme, përfitimi i Berberit ishte rreth 2.2 milion euro, shumë që u investua në pasuri të paluajtshme përmes “DAAM” shpk-së. Në mesin e muajit të kaluar, Gjykata e Posaçme kishte zbutur masën e sigurisë ndaj Lamit duke e lënë në “Arrest shtëpie”, por tani ai duhet të rikthehet në qeli.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 25 korrik 2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 160 akti, datë 17.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 312, datë 13 qershor 2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ndaj shtetasit nën hetim E.L., disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 312, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pikën e disponimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal si më poshtë:

Vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim E.L.