Aktualitet

Mori flakë në lëvizje, shkrumbohet “Benz”-i në Vlorë!

Një automjet tip “Mercedes Benz” mori flakë ndërsa ishte në lëvizje në zonën e Lungomares në Vlorë. Për fat të mirë nuk pati të lënduar, por dëme materiale pasi makina u dogj plotësisht. Dy persona që udhëtonin në të shpëtuan mrekullisht.

Shoferi dhe pasagjerja arritën të dilnin në kohë nga mjeti që u përfshi i tëri nga zjarri, dje në orët e vona të natës. Paraprakisht, dyshimet janë se “Benz”-i mori flakë si pasojë e një shkëndije elektrike. Ndërhyrja e zjarrfikësve në vendngjarje bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, që të saktësohet shkaku i djegies së mjetit. Po ashtu, në zonën e Lungomares u ndërpre përkohësisht qarkullimi i automjeteve teksa bëhej ndërhyrja e zjarrfikësve.