Sport

Morata lojtari më i ri i Milanit, kuqezinjtë zbulojnë edhe numrin e fanellës!

Alvaro Morata është futbollisti më i ri i Milanit. Drejtuesit kuqezinj paguan klauzolën prej 13 milionë euro të vendosur nga Atletico Madrid, dhe tashmë trajneri Paulo Fonseca ka në dispozicion sulmuesin për sezonin e ri. Spanjolli ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2028, ndërsa ka opsionin për të rinovuar edhe një tjetër vit.

“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë se ka blerë me të drejta të plota shërbimet sportive të futbollistit Álvaro Morata nga Atletico Madrid. Kapiteni i kombëtares spanjolle, me të cilën sapo është bërë kampion europian, Morata ka nënshkruar kontratë me klubin kuqezi deri më 30 qershor 2028 me opsion edhe për një vit tjetër”.

Sakaq, kuqezinjtë zbuluan gjithashtu se Morata ka zgjedhur fanellën me numër shtatë. Në këtë pikë është kërkuar edhe mirëkuptimi i Yacine Adli që mbante më parë numrin shtatë. Francezi nuk e ka pasur problem të ndryshojë numër dhe në sezonin e ri do të veshë fanellën me numër 94.

Ndërkohë, në skuadrën e Milan mbetet bosh ende numri 9, që mesa duket është në pritje të mbërritjes së një tjetër sulmuesi.