Aktualitet

Moody’s rishikon me rritje ekonominë shqiptare!

Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive.  Ministri i Financave, Petrit Malaj konfirmoi këtë rritje të vlerësimit. Në një deklaratë për mediat, ministri Malaj u shpreh se “rishikimi pozitiv për ekonominë shqiptare vjen në një moment kur ekonomia globale po kalon një sërë sfidash gjeopolitike, digjitalizimi apo kushtet klimaterike”.

Sipas tij, “ky vlerësim pozitiv, mbi të gjitha konfirmon se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur, sa i takon reformave në kuadër të integrimit, garantimit të mirëqeverisjes, si dhe forcimit të mëtejshëm të financave publike”. Po ashtu u ndal te përfitimet konkrete duke parashikuar që ekonomia shqiptare do të jetë e qëndrueshme edhe në termat afatmesëm.

Përfitimet që vijnë nga ky vlerësim janë konkrete: Rritja do të sjellë një vlerësim pozitiv sa i takon investimeve të huaja duke rritur besimin te investitorët e huaj. Po ashtu, Shqipëria do të përfitojë nga tregjet ndërkombëtare duke siguruar huamarrje me kosto më ulët financimi, u shpreh ministri Petrit Malaj. Kjo do të thotë që ekonomia shqiptare do të jetë e qëndrueshme edhe në termat afatmesëm.

Duke u ndalur në treguesit ekonomikë në rritje, ministri vuri në dukje se “në harkun kohor të 10 viteve, PBB-ja është rritur më shumë se dy herë, nga 9,6 miliardë euro në vitin 2013, në 21.4 miliardë euro deri në fund të 2024”-ës. Kryeministri Rama iu referua si një lajm i mirë dhe në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Agjencia prestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, rishikoi me rritje ekonominë shqiptare, duke e konsideruar në Ba3- e qëndrueshme, nga B1-pozitive Ky vlerësim i Moody’s, për Shqipërinë, reflekton të gjitha përpjekjet për të siguruar një rritjeje të qëndrueshme të ekonomisë, forcimin e mëtjeshëm të financave publike, si dhe një efikasitet më të lartë në zbatim të reformave drejt integrimit europian.