Nga paralajmërimet në veprime konkrete, Montana bëhet i pari shtet amerikan që zyrtarisht ndalon aplikacionin kinez të videove të shkurtra, TikTok. Guvernatori i Montanas, Greg Gianforte, firmosi dokumentin që kthehet në ligj të detyrueshëm për t’u zbatuar. Ndërkaq, së fundmi 5 përdorues të TikTok në Montana kanë ngritur padi në gjykatën federale për ta bllokuar ndalimin e ri të shtetit ndaj platformës nën pronësinë kineze.
Padia e cila u dorëzua në Gjykatën e Qarkut të Montana-s, ka emrin e prokurorit të përgjithshëm të shtetit, Austin Knudsen, i cili është i ngarkuar për zbatimin e ligjit. Përdoruesit e TikTok argumentojnë se shteti kërkon të ushtrojë kompetenca mbi sigurinë kombëtare që Montana nuk i ka dhe të ndalojë fjalimin që Montana nuk mund të shtypë. Padia tha se përdoruesit besojnë se ligji shkel të drejtat e tyre të Amendamentit të Parë. Në padi thuhej se:
Montana nuk mund t’i ndalojë banorët e saj të shikojnë ose postojnë në TikTok.
Zyrtarët e Montana, shtet i cili ka pak më shumë se 1 milionë banorë, bënë të ditur se TikTok mund të përballet me gjoba për secilën shkelje dhe se do ketë gjoba ditore shtesë prej 10 mijë dollarëve në rast të shkeljes së ndalimit. Në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, deri tani TikTok-u është ndaluar në pajisjet qeveritare të Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto shtete kanë përmendur shqetësimet në lidhje me sigurinë kibernetike, si arsye për vendosjen e ndalesës. Aplikacioni ka më shumë se një miliard përdorues në të gjithë botën e gjithashtu përdoret gjerësisht në SHBA dhe Europë.