Amerikanët thonë “everyone and their mother”, që pjesërisht përkthehet në “kushdo së bashku me mamanë e tyre” kanë dëgjuar për “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”. Ndoshta nuk dakordësohemi me amerikanët në shumicën e zgjedhjeve, ama kur vjen puna tek historitë e vërteta të krimit, këto dy drejtëza çyç puqen me njëra-tjetrën.
Krijuesit e “Monster: The Jeffrey Dahmer Story”, si për çudi e tejkalojnë veten në episodin e dytë të serialit antologjik krim-dramë. Nuk e diskutoj kiminë e pamohueshme mes producentit Ian Brennan dhe skenaristit e regjisorit Ryan Murphy – të cilin e njohim për seriale si “Glee” dhe “American Horror Story”, sado kontradiktore janë këto dy të fundit – ama duket sikur mjeshtëria e Ryan, e fituar ndër vite me horrorin fiktiv, i ka ngjallur një uri për të provuar horror të bazuar në histori të vërteta.
Vizioni i tij me Dahmer demaskoi monstrën pas kanibalit të Milwaukee, përgjegjës për vrasjen e 17 meshkujve dhe rujtjen e copave të prera nga trupat e tyre (grafike e di, por e vërtetë). Ama portretizimi i Murphy-t arriti të shuante romantizimin dhe glamorizimin që vrasësit serialë shpesh marrin nga publiku (në rastin e Dahmer, problematike por e vërtetë, plot femra e idealizonin). Epo deri sa panë aktrimin e Evan Peters, dyshoj se ka mbetur ndonjë vajzë që e sheh me sytë me zemra kanibalin.
Ama, krejt e kunderta po ndodh me portretizimin e vëllezerve Menendez. Tashmë, listës së opsioneve se kush ishin monstrat e vërteta (dy vëllezërit apo prindërit), i është shtuar një kandidat i tretë… por ende s’kemi mbërritur aty.
Seriali ndjek historinë e Lyle dhe Erik, dy vëllezër të cilët vranë prindërit e tyre në 1989-tën. Babai i tyre (Jose Menendez) një biznesmen i njohur, së bashku me të shoqen ‘Kitty’, u vranë në vilën e tyre nga dy djemtë të cilët asokohe ishin respektivisht 18 dhe 21 vjeç.
Në pamje të parë, një histori suksesi! Jose Menendez emigron nga Cuba dhe shndërrohet në një biznesmen që arrin ta prekë ëndrrën amerikane (pushtetin, vilën e madhe, gruan e bukur dhe dy djemtë). Aty ku ka sukses, ka sekrete e nëse “Monsters” do ishte një teori, titulli i saj do ishte: ‘Dekonstruktimi i epitomës së ëndrrës amerikane/Reduktimi i saj në primitivitet të pashpirt’!
Nuk do ju fajësoja – gjithmonë pa e parë serialin – nëse mendoni se Cooper Koch dhe Nicholas Alexander Chavez janë përzgjedhur për shkak të ngjashmërisë me vëllezërit e vërtetë (ose thjesht sepse janë djem bukuroshë), por mjafton të shihni serinë e parë për ta zbritur ngjashmërinë në vendin e fundit të listës së arsyeve se pse u përzgjodhën këta dy aktorë.
Nëse deri më tani kjo kritikë ju duket “indoktrinuese”, mos u merakosni. Ryan Murphy sigurohet që shikuesit t’i jepet liria totale për interpretim pasi ‘mbulohen’ perspektivat e të gjithë personave të përfshirë. Në fillim të këtij “udhëtimi” Ryan sikur na merr për dore e na ‘shpalos’ këta dy prindër – me në qendër Jose – të cilët kanë bërë gjithçka për të siguruar një jetë afër perfektes për fëmijët. Ama si për çudi (jo dhe aq), të paturit gjithçka në një pjatë të argjendtë i ka shndërruar të rinjtë në djem të paaftë për t’i dhënë vetes çfarëdolloj përgjegjësie a presioni që mund të jetë më “i rëndë” se përzgjedhja e veshjes së duhur.
A nuk është ky synimi i çdo prodhimi kinematografik? Të ngrejë pyetje si: “A mos po i mbi-llastojmë fëmijët tanë?” “A mos është bërë gjithçka kaq e lehtë për ta sa në të ardhmen shndërrohen në adult të paaftë për të marrë vendime?” “A mos do na vrasin një ditë?” (Pak e errët si shaka, ndjesë për shumicën, pakica jam e sigurt qeshi teksa e lexoi)!
Nuk fajsoj askënd që në seritë e para i sheh të rinjtë si monstrat. Të absorbuar në ‘lifestyle-in’ e tyre sa edhe pasi vrasin prindërit kanë gjakftohtësinë e dy sociopatëve për ta “varrosur” krimin e sapo kryer e për t’i dhënë prioritet kualitetit të ushqimit në restorantin ku po darkonin.
Ama, në sediljen e shoferit për sa i përket interpretimit, Ryan Murphy ka ulur shikuesin. Nëse në fillim monstrat ishin vëllezërit sipërfaqësor të cilët donin të shijonin frytet e punës së të atit e kishin “pengje” me këtë të fundit, historia merr një kthesë. Zbulojmë se Jose Menendez ishte një baba i rreptë, manjak kontrolli e më tej… abuzuesi seksual i të dy vëllezërve (teori që do të përdoret në gjyq për të shpaguar vrasjen gjakftohtë të prindërve).
Plot tematika diskutimi, seriali këtu ngre pyetjen: “A mos ndoshta pritshmëritë surreale me të cilat shpesh ngarkojmë fëmijët, si rezultat do i shkatërrojnë?”
E shkruajta këtë pyetje, sepse përgjigjen e saj e gjejmë më lehtë se atë të pyetjes: “A e justifikon krimin e vëllezërve abuzimi seksual i babait?”
Duket sikur antropologjia polemike është zgjatuar përtej serialit. Një tjetër kandidat i shtohet listës së nominimeve si “monstra”, e ai është pikërisht Ryan Murphy. Çdo regjisor aplikon ligjin e pashkruar e të paturit liri infinite për të shtuar e ndryshuar elemente ose dhe vetë ngjarje. Por, për shkak se historia është delikate, familja Menendez e ka kritkuar serialin si një dramë shokuese e groteske.
SPOILER ALERT (më duhet t’ju jap kontekst): Përveç abuzimit seksual nga babai, nënkuptohet se vëllezërit kishin një marrëdhënie incestuale me njeri-tjetrin (provë e guximit të Ryan Murphy, qoftë bazuar në fakt o në fantazi). “Monsters” do kish qenë skandaloz asesi, ama…
A ishte qershia mbi tortë marrëdhënia e çudtshme mes vëllezërve? Këtë gjykojeni vetë! Bashkëshortja e Erik Menendez ka publikuar përgjigjen e Erik për serialin, përmbledhur në vija të trasha si më poshtë:
Portretizimi i Lyle është fals. Shoqëria ka ecur një hap mbrapa duke sugjeruar se meshkujt e përjetojnë traumën e përdhunimit ndryshe nga femrat.
Erik shkon aq larg sa thotë:
Sa demoralizuese të shohësh një burrë me pushtet të nënvlerësojë dekada të tëra progresi që hedhin dritë mbi traumat e femijërisë!
Deklarata e Erik ka tërhequr vëmendjen e audiencës anembanë. Për ata që e kanë parë serialin, do bëj nje shaka të brendshme… Duket skur avokatja Leslie i ka trajnuar mirë djemte, edhe përtej gjyqit.
Fansat anembanë, të dashuruar me vëllezërit (edhe vetë Kim Kardashian pas serialit shkoi t’i vizitojë në burg), kërkojnë drejtësi për dyshen e dënuar me jetë në burg (Erik dhe Lyle janë sot 53 dhe 56 vjeç respektivisht). Në nië intervistë për “Entertainment Tonight”, Ryan Murphy ka dhënë kundërpërgjigjen e tij:
Është interesante që Erik ka dhënë nje deklaratë kur ai se ka pare serialin! Ështe e vështirë të shohësh jetën tënde në ekran. Një gjë që Erik nuk e përmend në deklaratën e tij është se po të shohësh serialin, 60-65% e skenarit dhe filmit, ka si epiqendër abuzimin dhe çfarë vellezerit pretendojnë se u ka ndodhur. Në këtë kohë ku njerëzit mund të flasin për abuzimin seksual, të flasësh e të shkruash mbi këtë temë, nëse do të mbulosh çdo pikë, mund të jetë kontroverse! Është një qasje e ngjashme me Efektin Rashomon*. Në këtë rast, 4 nierëz ishin të përfshire, 2 prej të cilëve kishin vdekur. Po prindërit? Kishim një detyrim si ‘storytellers’ të përfshinim perspektivën e tyre bazuar në ‘research’, kërkim që ne e bëmë!
Nëse si unë, s’ju pëlqen të mbani anë pa e gjykuar vetë atëherë shihni serialin. Por një konkluzion në të cilin jam e sigurt se ka dalë e gjithë audienca është se interpretimi është i hapur, perpektivat janë të përfshira. Episodet e para treguan se si shoqëria i shikonte vëllezërit. Në vijim paragjykimit të tyre iu dha një kontekst dhe arsye që shpagonte ose jo krimin.
Ama, pyetja përgjigjja e së cilës mbetet përgjithmonë e hapur është: “KUSH JANË MONSTRAT E VËRTËTË?”
Vëllezërit socipatë që vranë prindërit e tyre me ‘shotgun’? Prindërit ekstremisht kërkues, njëri prej të cilëve i abuzoi femijët seksualisht? Ryan Murphy për glamorizimin dhe portretizimin e gënjeshtërt të skandalit? Apo vetë ne, audienca, që për t’u arratisur nga përditshmeria jonë, mahnitemi deri ne eksitim metaforik nga groteskja, e gjejmë kenaqesi nga anomalia?
Kritikë nga Edea Demaliaj.
Nga ana tjetër, për t’u kthyer pak tek muzika… Kolonat zanore të përdorura në serial padyshim që kanë goditur në shenjë! Disa nga këngët e përdorura mund t’i gjeni në Timeless Playlist në Top Albania Radio. Këtë herë, shumica e këngëve në ‘playlist’ vijnë si pjesë e serialit më të përfolur të momentit. “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story” debutoi të premten dhe shpejt po bëhet hiti më i fundit i Netflix dhe Ryan Murphy. Për të ndihmuar në shtjellimn e historisë është përdorur një kolonë zanore specifike e periudhës që përmban artistë si Vanilla Ice me projektin e tij “Ice Ice Baby”, ose përfshirja e Milli Vanilli-t me “Blame It On The Rain” ose “I’m Gonna Miss You”.