Aktualitet Politikë

Molotovë Kryeministrisë, ministrive dhe selisë së PS. Tre orë kaos, policë e protestues të lënduar

Protesta e opozitës nën moton “Mosbindje Civile” zgjati mbi tre orë dhe prodhoi dhunë,  zjarrvënie dhe akte vandalizmi nëpër kryeqytet.

Ishin fillimisht deputetët e PD të cilët u përplasën fizikisht me uniformat blu te Kryeministria, që përbënin kordonin te selia qeveritare. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës.

Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant policia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë, me destinacion selinë e PS-së ku u hodhën flakadanë dhe bomba molotov. Te selia e PS u dogj edhe banderola me foton e Edi Ramës.

Marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov. Më pas turma e protestuesve vijoi drejt disa akseve rrugore në Tiranë. Mbështetësit e PD ecën në këmbë drejt “Rrugës së Dibrës, më pas ata kaluan te kryqëzimi me Rrugën e Barrikadave. Protestuesit vijuan te zona e 9-katësheve (Ushtari i panjohur) për të dalë më pas te Rruga George Bush, para Parlamentit. Destinacioni i radhës i protestuesve është pikërisht selia e Parlamentit, por sapo deputetët dhe një pjesë e protestuesve mbërritën, policia ka shpërndarë turmën duke hedhur gaz lotsjellës për t’i paraprirë ndonjë akti të dhunshëm.

Protesta u mbyll rreth orës 21:20, me protestuesit e mbetur që u mblodhën në selinë e PD.