Aktualitet

Molotov në protestën e 21 qershorit te Bashkia Tiranë, ndalohet 29 vjeçari!

Një 29 vjeçar u ndalua nga policia në lidhje me aktet e dhunshme në protestën e fundit të opozitës para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në pranga ra shtetasi Juljan Alla, banues në kryeqytet. Dyshohet se në protestën e 21 qershorit hodhi lëndë plasëse, molotov drejt godinës së bashkisë.

Ai akuzohet për disa vepra penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Njoftimi zyrtar:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, në vijim të veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e premte, më datë 21.06.2024, përpara bashkisë Tiranë, ndaluan shtetasin J. A., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, – thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.