Rajoni

Mohoi genocidin në Srebrenicë, Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi drejt shkarkimit

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç propozoi shkarkimin e Ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviç lidhur me qëndrimet e tij shumë të diskutueshme sa i përket Masakrës së Srebrenicës.

Më 26 mars, Leposaviç deklaroi se është gati të pranojë genocidin atje, kur të vërtetohet plotësisht. Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë që konstatoi se në Srebrenicë ka ndodhur genocid pasi u vranë 8 mijë burra e djem myslimanë nga forcat serbe në atë që njihet si masakra më e madhe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Shefi i Qeverisë së Podgoricës, Krivokapiç i cili e dërgoi propozimin në Parlament deklaroi:

Pas deklaratës së diskutueshme i dërgova mesazh që të dilte vetë nga çfarë gatoi. Mendova se do të amortizonte atë që tha por nuk ndryshoi qëndrim.

Komentet e Leposaviç-it nxitën reagime të shumta në Malin e Zi dhe mes komunitetit ndërkombëtar duke kërkuar dorëheqjen e tij, si dhe u kërkua reagim nga Prokuroria. Por, nga Ministri i Drejtësisë nuk ka patur asnjë shenjë për tërheqje.

Bashkimi Europian bëri thirrje të mos relativizohet apo mohohet genocidi në Srebrenicë.

Zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat europiane, përfshirë trajtimin me respekt të viktimave të genocidit e krimeve të luftës.