Lamborghini ka njoftuar se porositë për modelin Revuelto tashmë kanë “mbuluar” prodhimin deri në vitin 2026. Ky informacion nuk duket aspak befasi duke marrë parasysh faktin që makina hibride plug-in ishte shitur dy vjet përpara se të prezantohej në mars të vitit 2023. Gjithashtu, Lamborghini ka deklaruar se 10,112 makina u dorëzuan në vitin 2023, duke mposhtur rekordin e vitit 2022. Por, prodhuesi italian i makinave gjithnjë e më shumë pritet të prezantojë modele më të fuqishme. Prandaj, blerësit e interesuar mund të presin edhe për modelet e ardhshme SuperVeloce dhe SuperVeloce Jota.
Revuelto është modeli i gjashtë nga Lamborghini me një motor V12 dhe hibridi i parë plug in i mundësuar nga një kombinim i një motori V12 dhe tre motorë elektrikë. Fuqia e tij transmetohet në të katër rrotat, përmes një transmisioni me tetë shpejtësi, me një shpejtësi maksimale prej 350 km/h.
Rikujtojmë, se Lamborghini ka arritur një marrëveshje me sindikatat për të futur një javë pune katër-ditore për punëtorët e saj të prodhimit. Lamborghini është prodhuesi i parë i makinave në Evropë që prezanton një javë pune katër-ditore për fuqinë punëtore të punësuar në prodhimin e komponentëve dhe makinave.
Një numër në rritje i prodhuesve të automjeteve dhe grupeve prodhuese po rimendojnë strukturën e javës së punës për punonjësit e tyre. Marrëveshja e Lamborghini është pjesë e një rinegocimi më të gjerë, i cili përfshin gjithashtu 500 vende të reja pune, një rritje të pagave vjetore dhe përfitime të mëtejshme të punëtorëve.